Seanca e jashtëzakonshme për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale e ka ndryshuar orarin e protestës: OVL-UÇK i thërret qytetarët në orën 9:00 para Kuvendit, ndërsa protestuesit e "Liria ka Emër" po e kalojnë natën para ndërtesës.

Protesta e veteranëve të UÇK-së do të nisë tre orë më herët se ç'ishte paralajmëruar. Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka zhvendosur tubimin e nesërm nga ora 12:00 në orën 09:00, që të përputhet me fillimin e seancës së Kuvendit të Kosovës, në të cilën pritet të shqyrtohet ndryshimi i ligjit për Gjykatën Speciale, i propozuar nga PDK-ja.
"UÇK na bashkon, shihemi në ora 9:00 para Kuvendit", është mesazhi me të cilin veteranët u kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve të dalin në protestë.
Ndryshimi i orës erdhi pasi kryeparlamentarja Albulena Haxhiu thirri për nesër, në orën 9:00, një seancë të jashtëzakonshme, me ligjin për Specialen si pikë të rendit të ditës. Raportohet se kërkesa e PDK-së për ndryshimin e ligjit fillimisht është trajtuar nga Qeveria dhe më pas i është përcjellë Kuvendit.
Ndërkohë, para ndërtesës së Kuvendit protestuesit janë tashmë në vend. Protesta "Liria ka Emër" ka arritur në mbrëmjen e 19-të radhazi dhe dy netët e fundit është zhvendosur para Kuvendit. Organizatori i saj, Çlirim Haziri, ka paralajmëruar se këtë natë do ta kalojnë të gjithë atje, deri në mbajtjen e seancës.
"Nga ky moment do të qëndrojmë këtu, nuk do të lëvizim nga ky shesh, nga kjo rrugë", tha Haziri.
Protestat e përditshme nisën pas vendimit të 16 shtatorit të Gjykatës Speciale në Hagë, me të cilin katër ish-pjesëtarë të UÇK-së u dënuan me burg. Gjatë gjithë këtyre netëve, protestuesit kanë kërkuar nga Qeveria dhe institucionet e tjera të gjendet një zgjidhje.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

