Autoriteti shëndetësor gjerman vlerëson se rreth 14.000 njerëz vdiqën këtë verë për shkak të valëve të të nxehtit — një bilanc më i rëndë se ai i vitit 2018.

Vapa ekstreme e kësaj vere u kthye në një nga ngjarjet më vdekjeprurëse të viteve të fundit në Gjermani. Sipas vlerësimeve të publikuara të enjten, më 20 gusht 2026, nga Instituti Robert Koch (RKI), autoriteti shëndetësor gjerman, rreth 14.000 njerëz humbën jetën gjatë verës për shkak të valëve të të nxehtit.
Ky bilanc e tejkalon atë të vitit 2018, kur në Gjermani u regjistruan rreth 8.900 vdekje të vlerësuara si të lidhura me të nxehtin. Të dhënat e mbledhura në nivel kombëtar mbulojnë numrin e vlerësuar të vdekjeve deri më 9 gusht.
Pjesa më e rëndë e humbjeve u përqendrua në një javë të vetme. Sipas RKI-së, nga 14.000 vdekjet gjithsej, 9.600 ndodhën gjatë javës 22–28 qershor, e cila ishte veçanërisht e nxehtë. Në atë periudhë u shënuan temperatura të paprecedenta, që në disa vende kaluan 41 gradë Celsius.
Sipas raportit javor të RKI-së, më të prekurit ishin personat e moshës 75 vjeç e lart.
Vdekjet e lidhura me të nxehtin rrallë shkaktohen drejtpërdrejt nga vapa, siç ndodh në rastet e goditjes nga i nxehti. Në shumicën e rasteve, është kombinimi i temperaturave të larta me sëmundje ekzistuese — kardiovaskulare, të mushkërive ose të veshkave — që çon në vdekje, dhe pikërisht për këtë arsye përdoret termi "vdekje të lidhura me të nxehtin".
Meqë vapa nuk mund të shënohet si shkak vdekjeje në aktet e vdekjes dhe rrjedhimisht nuk shfaqet në statistikat për shkaqet e vdekjes, përmasat e humbjeve modelohen me metoda statistikore, duke krahasuar numrin e vdekjeve gjatë javëve të verës me dhe pa valë të të nxehtit.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

