Mohammad Ghamira, 29 vjeç, baba i dy fëmijëve dhe vullnetar i njohur i mbrojtjes civile, vuante nga hemofilia. Ai vdiq pak pas lirimit nga paraburgimi — dhe hetuesi që e goditi është ndaluar e referuar prokurorisë.

Vdekja e një vullnetari 29-vjeçar të "Helmetave të Bardha" ka shkaktuar zemërim të gjerë në Siri dhe ka çuar në arrestimin e një polici, i cili dyshohet se e goditi me shuplakë ndërsa ai ndodhej në paraburgim.
Sipas Ministrisë së Brendshme siriane, Mohammad Ghamira, 29 vjeç, ndërroi jetë të dielën, pak ditë pas një sherri me policinë. Ministria deklaroi të enjten se ai vdiq pasi u godit me shuplakë nga hetuesi policor Ahmad Jawad, i cili që atëherë është ndaluar dhe është referuar prokurorit publik.
Ghamira vuante nga hemofilia, një sëmundje e rrallë që pengon mpiksjen normale të gjakut dhe që i bën të prekurit të gjakosen më lehtë e për periudha më të gjata. Sipas hetimit, ai u kishte thënë personelit të sigurisë së brendshme për gjendjen e tij shëndetësore, ndërsa bashkëshortja e tij dy herë i njoftoi autoritetet për rrezikun e mundshëm.
Ahmad Latouf, kreu i komisionit hetimor dhe ndihmësministër i brendshëm për çështjet policore, konfirmoi se Ghamira vdiq pas një hemorragjie cerebrale, që besohet të jetë shkaktuar nga shuplaka. Dy policë të tjerë janë gjithashtu nën hetim, por për momentin nuk pritet të ndiqen penalisht.
Ghamira ishte anëtar i "Helmetave të Bardha", organizatës së mbrojtjes civile të përbërë nga vullnetarë që vepronte në zonat e kontrolluara nga rebelët në Siri. Ata kryenin operacione kërkim-shpëtimi dhe ofronin ndihmë mjekësore pas sulmeve qeveritare. Baba i dy fëmijëve, ai u arrestua javën e kaluar me akuzën për vjedhje, u lirua më vonë dhe vdiq në një spital në Latakia të dielën.
Ministria e Brendshme akuzoi Jawadin se shkeli udhëzimet ministrore dhe kodin e sjelljes, të cilat ndalojnë rreptësisht çdo formë trajtimi poshtërues apo abuziv ndaj të ndaluarve. Ministri i Brendshëm sirian, Anas Khattab, tha në një deklaratë se rezultatet e hetimit tregonin "përkushtimin për të arritur të vërtetën dhe për të mbajtur përgjegjës ata që vërtetohet se e kanë tejkaluar" detyrën.
"Ne u ngritëm kundër regjimit të tiranit të dikurshëm në kundërshtim me padrejtësinë dhe pandëshkueshmërinë, dhe prandaj, ndërtimi i një shteti të së drejtës fillon me aftësinë tonë për të mbajtur përgjegjës keqbërësin, për t'i dhënë dëmshpërblim viktimës dhe për të mos i bërë padrejtësi askujt që nuk është provuar se është përgjegjës", tha Khattab.
Vdekja e Ghamirasë u ka kujtuar shumë sirianëve abuzimet e rënda dhe sistematike me të drejtat e njeriut nën ish-presidentin Bashar al-Assad, i cili u rrëzua nga rebelët në dhjetor 2024. Udhëheqësi i ri, Ahmed al-Sharaa, ka premtuar një epokë të re me prioritet të drejtat e njeriut dhe një qeveri gjithëpërfshirëse. Megjithatë, organizatat për të drejtat e njeriut kanë dokumentuar abuzime të gjera nga forcat qeveritare, veçanërisht ndaj grupeve minoritare.
Reagimi i madh publik lidhet ngushtë me figurën e viktimës. "Një pjesë e arsyes pse ka pasur jehonë kaq të gjerë është për shkak të asaj se kush ishte Mohammadi. Ai ishte një burrë i ri, 29 vjeç, kishte dy fëmijë dhe ishte vullnetar te Helmetat e Bardha. Ata shiheshin thelbësisht si heronj. Babai i tij iu bashkua revolucionit, kështu që ai është një figurë që shumë njerëz këtu në komunitetin e tij dhe në nivel kombëtar e respektonin", tha gazetarja e Al Jazeera, Heidi Pett, që raportoi nga qyteti-port verilindor i Latakias.
Ajo shtoi se zemërimi lidhet edhe me faktin se ky nuk është rasti i parë i keqtrajtimit në paraburgim nën autoritetet e reja: "Kjo është pjesë e arsyes pse ka pasur kaq shumë trishtim e zemërim dhe është edhe [për shkak të] faktit se Mohammadi nuk është i pari që keqtrajtohet në paraburgim nga autoritetet e reja. Organizatat siriane për të drejtat e njeriut kanë dokumentuar raste të tjera vdekjesh në paraburgim."
Qeveria siriane është zotuar të marrë masa të mëtejshme. "Do të vendoset mbikëqyrje në stacionet e policisë dhe do të sigurohet trajnim më i mirë për oficerët, por thonë se e gjithë kjo do të kërkojë kohë", tha Pett.
Gjatë ekzaminimit forenzik, ekspertët mjekësorë nuk gjetën shenja të dukshme dhune apo force të rëndë, si dhe asnjë thyerje kafke apo plagë traumatike.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

