Një person që jetonte pranë lagjes Schwanheim të Frankfurtit humbi jetën nga malaria, viktima e tretë e një grupi rastesh të lidhura me aeroportin. Dy punonjës të aeroportit vdiqën në korrik dhe në gusht.

Një sëmundje që Gjermania e njeh gati vetëm si "të importuar" nga udhëtimet jashtë vendit ka marrë tashmë tre jetë rreth aeroportit të Frankfurtit. Autoritetet lokale bënë të ditur të enjten se një person që jetonte pranë lagjes Schwanheim ka vdekur nga malaria. Është vdekja e tretë pas shfaqjes së një grupi rastesh të lidhura me Aeroportin e Frankfurtit, ku dy punonjës humbën jetën nga sëmundja në korrik dhe në gusht.
Lagjja Schwanheim, që kufizohet me aeroportin, regjistroi dy raste të reja të malaries të martën e kësaj jave, dy muaj pasi u shfaqën rastet e para. Asnjëri prej dy të infektuarve, që jetojnë në shtëpi të ndryshme, nuk kishte vizituar më parë një zonë endemike të malaries dhe asnjëri nuk punonte në Aeroportin e Frankfurtit.
Autoritetet shëndetësore të Frankfurtit shprehën ngushëllimet për familjarët e viktimave të fundit dhe thanë se dy rastet më të reja në Schwanheim lidhen me një mushkonjë të infektuar të gjinisë Anopheles, që mbërriti në Gjermani me avion. Sipas Institutit Robert Koch, institutit gjerman të shëndetit publik, mushkonjat e malaries mund të fluturojnë nga 5 deri në 10 kilometra. Infeksionet e regjistruara ndodhën rreth 5 kilometra larg aeroportit.
Fenomeni i njohur si malaria e aeroportit shfaqet kur një mushkonjë e infektuar transportohet në një avion ose në bagazhe dhe më pas infekton dikë në avion, në aeroport ose në zonën përreth. Instituti Robert Koch i përshkruan raste të tilla si shumë të rralla: rasti i fundit i dokumentuar në Aeroportin e Frankfurtit u regjistrua në vitin 2023. Rreziku shtesë është diagnostikimi i vonuar, pasi pacientët mund të mos kenë udhëtuar në një zonë me rrezik malarie.
Në aeroport janë vendosur kurthe për mushkonja, dhe insektet e kapura po analizohen gjenetikisht në Institutin e Mjekësisë Tropikale në Antuerpen, për të përcaktuar llojin dhe origjinën e tyre. Aeroporti i Frankfurtit u ka bërë thirrje punonjësve të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse shfaqin simptoma.
Malaria është një sëmundje kërcënuese për jetën, që transmetohet nga mushkonjat dhe shkakton çdo vit qindra mijëra vdekje, kryesisht në Afrikën nënsahariane. Në Gjermani ajo nuk është e përhapur, dhe rastet zakonisht përfshijnë persona që e kanë marrë sëmundjen gjatë udhëtimeve jashtë vendit. Kësaj radhe, rastet u atribuohen drejtpërdrejt Aeroportit të Frankfurtit.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

