Një 31-vjeçar është ndaluar për 48 orë pas vdekjes së punëtorit 54-vjeçar që ra në bodrumin e një objekti në ndërtim në Ferizaj. Policia e dyshon për heqjen e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimin e sigurisë në vendin e punës.

Vdekja e një punëtori 54-vjeçar në një kantier ndërtimi në Ferizaj ka çuar në ndalimin e një personi. B.T., 31 vjeç, është mbajtur për 48 orë nga Policia e Kosovës, nën dyshimin se nuk është garantuar siguria në vendin ku punëtori humbi jetën.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Ferizajt konfirmoi identitetin e viktimës dhe arsyen e ndalimit: "Viktima është M.M., 54 vjeç, ndërsa B.T., 31 vjeç, është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për veprën penale ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’".
Ngjarja ndodhi rreth orës 15:40 në rrugën "Cen Dugolli", ku punëtori dyshohet se u rrëzua nga kati përdhes në bodrumin e objektit ku po zhvilloheshin punime. Ekipet e policisë dhe të Emergjencës që dolën në vend konstatuan vdekjen e tij.
Në vendngjarje kanë punuar edhe hetuesit rajonalë. Për rastin janë njoftuar inspektorët e punës dhe prokurori i shtetit, ndërsa nuk dihet ende se çfarë lidhjeje ka i dyshuari me punimet në objekt.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

