Drejtori i Institutit OCTOPUS, Arben Fetoshi, thotë se letra e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për NATO-n synon ta paraqesë hapjen e Urës së Ibrit si kërcënim, ndërkohë që aleanca e cilëson të njëjtin hap si përmirësim sigurie.

Hapja e Urës së Ibrit për qarkullimin e automjeteve është kthyer sërish në një front politik. Drejtori i Institutit OCTOPUS, Arben Fetoshi, ka reaguar ndaj letrës që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, lidhur me këtë çështje, duke e cilësuar atë si përpjekje për ta ruajtur urën si simbol të ndarjes.
Në një analizë të publikuar me titullin "Letra e Vuçiqit në shtabin e demantimit – Një ankesë drejtuar NATO-s, kundër NATO-s", Fetoshi vlerëson se letra e presidentit serb paraqet një përpjekje të Serbisë për ta ruajtur kuptimin politik të urës dhe për ta paraqitur si kërcënim një proces që, sipas tij, vetë NATO e konsideron si përmirësim të sigurisë.
Sipas Fetoshit, vendimi për hapjen e urës, të cilin aleanca e ka cilësuar si "progres konkret" për garantimin e lirisë së lëvizjes, përbën një kundërpërgjigje ndaj narrativës për një "Kosovë represive". Ai argumenton se ky proces e bën gjithnjë e më të vështirë përdorimin e pretendimeve për "sulme sistematike dhe spastrim etnik" të serbëve në Kosovë si argument për destabilizimin e situatës në veri.
Drejtori i OCTOPUS-it thekson se pretendimet për një "ballafaqim shqiptaro-serb" në veri ekzistojnë kryesisht në retorikën e Vuçiqit dhe strukturave të tij. Ai kujton se Kosova ka ndërtuar dhe funksionalizuar dy ura mbi lumin Ibër, të cilat, sipas tij, kanë ndikuar pozitivisht në komunikim, zhvillim dhe normalizim. Argumentin se hapja e urës kryesore për automjete mund të paraqesë rrezik për sigurinë, Fetoshi e cilëson si absurd dhe të lidhur me ruajtjen e ndarjes në kuadër të qëllimeve që ai i quan hegjemoniste.
Në analizën e tij, Fetoshi rendit një sërë incidentesh dhe veprimesh kriminale e të sigurisë në veri, duke theksuar se strukturat që kanë bllokuar rrugët, kanë sulmuar qytetarë, institucione dhe pjesëtarë të KFOR-it, si dhe personat e përfshirë në sulmin në Banjskë, nuk kanë vepruar përmes Urës së Ibrit. Ai përmend gjithashtu armët e konfiskuara në veri, sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit dhe rrjetet e kontrabandës, duke argumentuar se problemi i sigurisë nuk lidhet me urën.
"Prandaj, problemi i Vuçiqit nuk është ura. Problem është infrastruktura e destabilizimit, e furnizuar përgjatë viteve me simbolin e 'ndarjes' mbi Ibër", shkruan Fetoshi.
Sipas tij, strategjia politike e presidentit serb ka nevojë për tensione për ta mbajtur gjallë narrativën e "serbëve të kërcënuar", dhe në këtë sistem, thekson ai, përfshihen edhe strukturat që kanë vepruar në veri dhe figura e Milan Radoiçiqit. Fetoshi thotë se NATO është në dijeni të burimeve të kërcënimeve të sigurisë në veri, duke përmendur sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it, ngjarjet në Banjskë dhe arsenalin e armëve të kapur në atë pjesë të Kosovës.
Në përfundim, drejtori i Institutit OCTOPUS vlerëson se letra e Vuçiqit drejtuar NATO-s synon ta paraqesë normalizimin si kërcënim, lirinë e lëvizjes si rrezik dhe integrimin e veriut si "terror ndaj serbëve". Sipas tij, me një qasje të tillë, presidenti serb vetëm sa po e shpërfaq atë që ai e quan strategji të "viktimizimit si paralajmërim".
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

