Bashkimi Europian ka konfirmuar se janë përmbushur kushtet për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Ish-presidentja Vjosa Osmani e cilëson ngjarjen si kthesë historike pas më shumë se 27 vjetësh ndarjeje.

Pas më shumë se 27 vjetësh që e mbajtën Mitrovicën të ndarë në dysh, ura kryesore mbi lumin Ibër është një hap më afër hapjes. Brukseli ka konfirmuar se janë përmbushur kushtet e nevojshme, një lajm që ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka mirëpritur si "hap historik".
Sipas një zëdhënësi të Bashkimit Europian, kushti i vendosur nga BE-ja tashmë është plotësuar. Ai rikujtoi pozicionin e BE-së të shprehur në raportin e vitit 2025 për vendin, ku thuhej se ura duhet të hapet vetëm pas konsultimeve me "partnerët e sigurisë". Për Brukselin, ky prag u kalua pasi KFOR-i njoftoi për nisjen e një "tranzicioni gradual" të pranisë së përhershme të trupave nga ura kryesore mbi lumin Ibër.
"Qëndrimi i BE-së për urën ka qenë gjithmonë i qartë: pasi të kompletohen punimet në urën Austerlitz në Mitrovicë, si dhe vlerësimet dhe konsultimet shtesë, ura duhet të hapet. Mund të konfirmojmë, siç është përmendur tashmë në raportin vjetor të vitit të kaluar, se ky është vërtet rasti", u tha në përgjigjen e BE-së.
Osmani reagoi përmes një postimi në Facebook, ku e lidhi hapjen e urës me kalimin e përgjegjësive te Policia e Kosovës. "Hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër dhe kalimi i përgjegjësive te Policia e Kosovës janë zhvillime të mirëseardhura, që ndihmojnë edhe më tej integrimin e plotë të çdo pjese të territorit të vendit tonë", shkroi ajo.
Ish-presidentja u ndal edhe te pasojat e ndarjes shumëvjeçare të qytetit. "Për më shumë se 27 vjet, ndarja e Mitrovicës, përveçse krijoi pasiguri dhe probleme në sundimin e ligjit, mundësoi spastrimin etnik të shqiptarëve dhe uzurpimin e pronave të tyre, e njëkohësisht i dha Serbisë alibi për të vazhduar me ëndrrat e saj hegjemoniste për ndarjen e Kosovës", theksoi Osmani.
Ajo e përshkroi qarkullimin e lirshëm mbi urë si diçka që tejkalon simbolikën. "Prandaj, qarkullimi i lirshëm mbi urën kryesore të lumit Ibër, përveçse bashkon njerëz, mbi të gjitha është një hap historik drejt luftimit të tendencave të Serbisë për gllabërim territoresh. Përkundër vonesave të mëdha, ky hap do të ndihmojë në rritjen e nivelit të sigurisë dhe paqes së qëndrueshme në vendin tonë", shkroi ajo.
Në mbyllje, Osmani shprehu mirënjohje për institucionet e angazhuara ndër vite, duke veçuar Policinë e Kosovës. "Mirënjohje për të gjitha institucionet e angazhuara ndër vite për të arritur deri këtu, e në veçanti për Policinë e Kosovës, e cila vazhdon të mbajë barrën kryesore për sigurinë në çdo pëllëmbë të territorit tonë dhe për çdo qytetar të vendit tonë", përfundoi ajo.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

