Pak para se t'i mbyllet mandati i dytë, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, u ul në Beograd me shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë serbe, gjeneralin Milan Mojsilović. Misioni i NATO-s e quan takimin pjesë të komunikimit të rregullt në emër të stabilitetit rajonal.

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, zhvilloi sot në Beograd takimin e tij të fundit me krerët ushtarakë serbë para përfundimit të mandatit të dytë në krye të misionit. Bashkëbiseduesi i tij ishte gjenerali Milan Mojsilović, shefi i shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë.
KFOR-i e paraqet takimin si pjesë të komunikimeve dhe ndërveprimeve të rregullta me Forcat e Armatosura të Serbisë. Sipas misionit, këto kontakte janë thelbësore për të nxitur mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e ndërsjellë, në mbështetje të stabilitetit rajonal dhe në të mirë të të gjitha komuniteteve.
Përmbajtja e bisedës nuk është bërë publike në hollësi. Në deklaratën e tij, KFOR-i shkruan: "Gjeneralmajori Ulutaş dhe gjenerali Mojsilović shkëmbyen pikëpamje mbi një sërë çështjesh me interes dhe shqetësim të përbashkët. Duke shfrytëzuar këtë rast, gjeneralmajori Ulutaş e falënderoi gjeneralin Mojsilović për bashkëpunimin e tij konstruktiv gjatë mandatit të tij".
KFOR-i thekson se vazhdon të zbatojë mandatin e vet, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, me qëllim që të kontribuojë në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

