Pak ditë pasi Donald Trump e quajti "turp" goditjen e rafinerive ruse, Ukraina nisi një nga sulmet më të mëdha me dronë të këtij viti. Mes objektivave ishte një terminal kyç nafte në Shën Petersburg.

Ministria ruse e Mbrojtjes thotë se gjatë natës së së shtunës, deri të dielën, rrëzoi 1.015 dronë ukrainas mbi zona të ndryshme të vendit. Është një nga sulmet më të mëdha me dronë që Ukraina ka ndërmarrë këtë vit, dhe erdhi pikërisht kur presidenti amerikan, Donald Trump, i kërkon Kievit të ndalë goditjet ndaj infrastrukturës energjetike ruse.
Sipas autoriteteve ruse, një nga objektivat ishte Terminali i Naftës i Shën Petersburgut, një impiant me kapacitet deri në 12,5 milionë ton në vit. Kompania ukrainase Fire Point, prodhuesja e dronëve të përdorur në sulm, deklaroi se pas goditjes shpërtheu një zjarr brenda territorit të terminalit.
Në Shën Petersburg u godit edhe një qendër logjistike, sipas kompanisë ruse të shpërndarjes Ozon. Autoritetet lokale bënë të ditur se nga sulmet një person humbi jetën dhe pesë të tjerë u plagosën, ndërsa u dëmtuan edhe banesa.
Armëpushimi që askush nuk e pranoi
Goditjet vijnë në një moment kur marrëdhënia mes presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe Trumpit po përkeqësohet. Javën e kaluar, Trump i cilësoi sulmet e Kievit ndaj rafinerive ruse të naftës si "turp".
Një javë më parë, Trump kishte deklaruar se Rusia dhe Ukraina ishin pajtuar të mos godisnin më infrastrukturën energjetike të njëra-tjetrës, ndërsa Shtëpia e Bardhë përpiqet të lehtësojë presionin mbi çmimet e naftës dhe të naftës dizel përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit. As Kievi, as Moska nuk e pranuan ndonjëherë një marrëveshje të tillë. Ukraina i pezulloi për pak kohë sulmet e këtij lloji, por më pas i rinisi, ndërsa Rusia nuk ndaloi asnjëherë bombardimin e centraleve energjetike dhe të qyteteve ukrainase.
Sipas autoriteteve ukrainase, në 24 orët deri të dielën në mëngjes, sulmet ruse me raketa dhe dronë vranë 11 persona dhe plagosën afro 50 në gjithë Ukrainën. Mes tyre, sipas të njëjtave autoritete, ishte një sulm masiv ndaj objekteve energjetike në rajonin e Odesës.
"Që kur presidenti amerikan shpalli armëpushimin energjetik një javë më parë, Rusia ka sulmuar qëllimisht sektorët e energjisë dhe të naftës e gazit të Ukrainës 76 herë", shkroi Zelensky të dielën në rrjetin social X.
"Amerika duhet të shohë se Rusia nuk po ndërmerr asnjë hap reciprok në përgjigje të lehtësimit të sanksioneve apo marrëveshjeve", tha Zelensky. "Përkundrazi, ata e marrin çdo sinjal për një mundësi për të fituar para si provë se basti i tyre te lufta po shpërblehet dhe se mund të vazhdojnë të luftojnë."
Lehtësimet për Moskën dhe kritikat në Uashington
Trump ka hequr sanksionet për importet e naftës dizel ruse dhe të premten aktivizoi një përjashtim që e çliron Rusinë nga ndëshkimet e gjera ekonomike të miratuara nga Kongresi amerikan. Vendimi ngjalli kritika, madje edhe nga radhët e republikanëve.
Tensionet e ditëve të fundit mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara kanë ngjallur frikë në Kiev se vendi mund të humbasë mbështetje jetike, ndërsa i afrohet një dimri tjetër nën sulmet ruse.
Starlink, pika e re e fërkimit
Zelensky ka deklaruar gjithashtu se qasja e ushtrisë ukrainase në sistemin Starlink, që përdoret për drejtimin e dronëve me rreze të shkurtër veprimi dhe atyre në fushëbetejë, mbetet e kufizuar. "Shpejtësia maksimale sot është 161 kilometra në orë. Pas kësaj, bazuar në atë që kam parë dhe dëgjuar në raporte, Starlink fiket dhe ne e humbasim dronin", tha ai.
Sipas Zelenskyt, Ukraina nuk mund të përdorë as Starshield, një sistem më i avancuar i krijuar për nevojat qeveritare dhe të sigurisë kombëtare. "Fatkeqësisht, aktualisht nuk mund ta përdorim më Starlink apo Starshield në vendin tonë për të rrëzuar dronët Shahed me motor reaktiv", deklaroi presidenti ukrainas. "Kufizimet janë në fuqi në territorin ukrainas, por nuk zbatohen brenda Bashkimit Evropian. Me fjalë të tjera, ky është një operacion i planifikuar… për të na kufizuar, për të na shkëputur dhe për të na penguar të mbrohemi dhe të mbrojmë njerëzit tanë."
Administrata Trump mohon se e ka kufizuar shërbimin. Megjithatë, javën e kaluar Kievi tha se po përballej me sulme ruse me raketa balistike pa marrë asnjë paralajmërim nga aleatët, ndërkohë që rrjetet satelitore amerikane kanë qenë thelbësore për t'i sinjalizuar ushtrisë ukrainase raketat që po afrohen.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

