Sistemi amerikan Patriot, një nga të paktat mburoja ukrainase kundër raketave balistike, ka mbetur pa municion. Kjo ndodh pikërisht kur Uashingtoni rrit presionin mbi Kievin dhe marrëdhënia Zelensky-Trump është më e tendosur se kurrë.

Ukraina ka mbetur plotësisht pa raketa për sistemin amerikan të mbrojtjes ajrore Patriot. Ky është një nga të paktat sisteme të afta të rrëzojnë raketat balistike, ndaj mungesa e tij e lë vendin shumë më të ekspozuar ndaj sulmeve ruse. Këtë e tha të enjten një person i njohur me situatën, në një raportim ekskluziv të CNN.
Pasojat u panë në sulmin më të fundit. Sipas të njëjtit person, "pothuajse të gjitha raketat balistike nga sulmi i fundit nuk u kapën për shkak të mungesës së raketave (interceptuese)". Natën që gdhiu e mërkura, raketat balistike ruse goditën tri centrale energjetike në Kiev dhe shënjestruan infrastrukturën energjetike në Harkiv. Atë ditë, në Kiev u vranë katër persona dhe 25 të tjerë u plagosën.
Nuk besohet të jetë hera e parë që Ukraina i shteron tërësisht këto raketa. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar prej muajsh se rezervat po mbaronin. Problemi nuk është vetëm ukrainas: interceptorët Patriot janë të shtrenjtë dhe të pakët në shkallë botërore, pasi shumë vende i kanë konsumuar rezervat e tyre ose janë përpjekur të forcojnë sistemet e veta mbrojtëse për shkak të luftës në Iran.
Që në mes të gushtit, zyrtarët ukrainas kishin pranuar se vendi pothuajse i kishte mbaruar interceptorët. Në atë kohë, Zelensky tregoi se ditët e tij kalonin në "miliona" telefonata me aleatët, në përpjekje për të siguruar marrëveshje për më shumë sisteme Patriot. Sipas tij, Ukraina kishte vetëm një të dhjetën e raketave interceptuese që i nevojiteshin urgjentisht.
Një muaj më vonë, Zelensky u shfaq më optimist dhe deklaroi se vendi "do të marrë një licencë për të prodhuar raketa Patriot" nga Shtetet e Bashkuara. Presidenti amerikan, Donald Trump, nuk pranoi të thoshte nëse ishte dakord me këtë. Licenca nuk u dha kurrë.
Në ditët e fundit, marrëdhënia mes dy presidentëve është tendosur edhe më shumë. Uashingtoni lidhi një marrëveshje shumë të kritikuar për importin e naftës ruse dizel dhe shtoi presionin mbi Ukrainën që të ndalë sulmet ndaj infrastrukturës ruse të naftës. Para zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, Trump e ka fajësuar gjithnjë e më shumë luftën Ukrainë-Rusi për rritjen e çmimeve botërore të naftës dizel.
Sipas dy zyrtarëve evropianë, administrata Trump paralajmëroi këtë javë Ukrainën dhe aleatët evropianë se SHBA-ja mund të pezullojë blerjet evropiane të armëve amerikane dhe ndarjen e informacionit të inteligjencës me Ukrainën, nëse Kievi nuk ndalon sulmet në thellësi kundër objekteve energjetike ruse. Paralajmërimet nga Departamenti i Shtetit dhe Pentagoni iu dërguan gjatë fundjavës zyrtarëve në Ukrainë dhe në Evropë, përfshirë komunikime të drejtpërdrejta të ushtrisë amerikane me komandantët ukrainas. Trump ka këmbëngulur më pas se SHBA-ja nuk e ka ndërprerë ndarjen e inteligjencës me Ukrainën.
Rreziku për Kievin është i drejtpërdrejtë: pezullimi i blerjeve evropiane të armëve përmes Listës së Kërkesave të Prioritizuara për Ukrainën (PURL) do të kërcënonte dërgesat e ardhshme të interceptorëve Patriot.
Zelensky e ka lidhur hapur këtë çështje me kërkesën amerikane. Në një intervistë të ashpër të botuar, ai tha se mund të pranonte ndalimin e sulmeve ndaj energjetikës ruse vetëm nëse do të merrte, si "minimum", më shumë interceptorë Patriot. Ai shtoi se, kur kërkoi më shumë mbrojtje ajrore, përgjigjja amerikane ishte dobësimi i shërbimit Starlink.
Të mërkurën, në një deklaratë publike, presidenti ukrainas e përsëriti thirrjen: "Presidenti amerikan ka të gjitha mjetet efektive dhe të nevojshme për ta afruar paqen përmes forcës, drejtësisë dhe presionit ndaj agresorit. Kërkojmë paketa shtesë të raketave interceptuese Patriot për Ukrainën."
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

