Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, paralajmëron se nga 23 shtatori çdo aeroport, furnizues karburanti apo agjenci biletash që u shërben linjave ajrore iraniane rrezikon të nxirret jashtë sistemit të dollarit.

Kërcënimi nuk u drejtohet vetëm avionëve iranianë, por kujtdo që i mbush me karburant, i lejon të ulen apo u shet bileta. Sekretari i Thesarit të Shteteve të Bashkuara, Scott Bessent, deklaroi se linjat ajrore të Iranit mund të mbeten praktikisht jashtë udhëtimeve ndërkombëtare që nga e mërkura, ndërsa Uashingtoni u kanoset kompanive të huaja me sanksione dytësore nëse vazhdojnë t'u ofrojnë shërbime transportuesve iranianë.
"Më 23 shtator, të gjitha linjat ajrore iraniane do të mbyllen në mbarë botën", tha Bessent të hënën për televizionin CNBC.
Mesazhi i tij ndaj partnerëve të huaj ishte i prerë: "Nëse ata ulen, nuk mund t'u jepni karburant, nuk mund t'u jepni shërbime uljeje, nuk mund t'u shitni bileta, ose do të nxirreni jashtë sistemit të dollarit". Në shënjestër janë pikërisht aeroportet, furnizuesit e karburantit, kompanitë e shitjes së biletave dhe bizneset e tjera nga të cilat varen avionët iranianë për të operuar jashtë vendit.
Hapi hyn në një fushatë ekonomike gjithnjë e më të ashpër të administratës së presidentit amerikan Donald Trump ndaj Teheranit, e cila ka vijuar paralelisht me luftën mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Në fillim të këtij muaji, Thesari amerikan vendosi sanksione ndaj të gjitha linjave ajrore iraniane që nuk ishin goditur më parë, si dhe ndaj kompanive jashtë Iranit të akuzuara se mbështesin sektorin e aviacionit të vendit.
Aviacioni iranian ishte tashmë i mbërthyer nga vite sanksionesh amerikane, që ua kanë bërë të vështirë kompanive blerjen e avionëve të rinj dhe sigurimin e pjesëve të këmbimit e të shërbimeve të mirëmbajtjes. Masat janë pjesë e një regjimi shumë më të gjerë sanksionesh që synon izolimin e Iranit nga sistemi financiar ndërkombëtar: sanksionet dytësore amerikane kërcënojnë me ndëshkime kompanitë e huaja që bëjnë biznes me Iranin në energji, transport detar, teknologji, ar dhe asete dixhitale.
Deklaratat e Bessentit erdhën një ditë pas bisedimeve të tij me zëvendëskryeministrin kinez He Lifeng dhe në prag të takimit të Trumpit me presidentin kinez Xi Jinping, të planifikuar për të enjten. Kina është një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomikë dhe mbështetësit diplomatikë të Iranit, çka e bën bashkëpunimin e Pekinit potencialisht vendimtar për përpjekjet e Uashingtonit që ta izolojnë financiarisht Teheranin.
Sipas Bessent, zyrtarët kinezë kanë qenë "shumë të angazhuar" në fushatën amerikane të presionit, ndërsa Uashingtoni po zhvillon bisedime që ai i cilësoi pozitive me autoritetet financiare kineze, përfshirë guvernatorin e Bankës Popullore të Kinës, Pan Gongsheng, për zbatimin e sanksioneve amerikane ndaj Iranit.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

