Një burrë 60-vjeçar u shty përtokë dhe u godit me këmbë disa herë në kokë para një dyqani në Manhattan. I dyshuari u largua me portofolin e tij, por gjysmë ore më vonë u rikthye në vendngjarje dhe u kap.

Një burrë 60-vjeçar ka vdekur në spital pasi u shty përtokë dhe u godit me këmbë disa herë në kokë para një dyqani me artikuj për të rritur në lagjen Chelsea të Manhattanit, në Nju Jork. Për vdekjen e tij, hetuesit kanë ngritur akuza ndaj Imani McColley, një 25-vjeçar nga Queensi, i cili ngarkohet me vrasje dhe me dy akuza për grabitje.
Sipas Policisë së Nju Jorkut (NYPD), ngjarja ndodhi rreth orës 21:00 të së dielës jashtë dyqanit Rainbow Station, pranë kryqëzimit të Rrugës 20 me Avenuen 8. Viktima pësoi trauma të rënda në kokë. Burime nga organet e rendit thonë se mes dy burrave kishte pasur një mosmarrëveshje të mëparshme, por se çfarë e kishte shkaktuar atë nuk është e qartë.
Pas sulmit, i akuzuari dyshohet se i mori viktimës portofolin dhe u largua me vrap. Gjysmë ore më vonë, sipas të njëjtave burime, ai u rikthye në vendngjarje për të marrë telefonin e tij. Një punonjës i një biznesi në anën tjetër të rrugës e vuri re dhe njoftoi policinë përmes numrit të emergjencës 911. McColley u kap pas një ndjekjeje të shkurtër në këmbë.
Emri i viktimës nuk është bërë ende publik, ndërsa nuk dihet nëse i akuzuari ka përfaqësim ligjor. Akuzat ndaj tij mbeten të paprovuara derisa të shprehet gjykata.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

