Pas goditjeve ruse në kufirin ukrainas, kryeministri polak Donald Tusk mblodhi urgjentisht krerët e sigurisë në Varshavë dhe paralajmëroi se përshkallëzimi mund të prekë edhe territorin e Polonisë.

Polonia u vendos në gjendje alarmi të shtuar. Kryeministri Donald Tusk thirri të dielën një mbledhje sigurie të nivelit të lartë në Qendrën e Sigurisë së Qeverisë në Varshavë, ku morën pjesë ministrat e Mbrojtjes dhe të Punëve të Brendshme, si dhe përfaqësues të shërbimeve të sigurisë.
Paralajmërimi i tij ishte i drejtpërdrejtë: vendi duhet të përgatitet për mundësinë që Moska të përdorë dronë me motor reaktiv. "Nuk ka asnjë dyshim se duhet të jemi të gatshëm, bashkë me aleatët tanë, të reagojmë nëse është e nevojshme. Sulmet e kësaj nate tregojnë se rusët janë të gatshëm të përdorin pajisje më të rrezikshme se më parë", tha Tusk. Ai shtoi: "E kam fjalën këtu për dronët me reaktor. Rrezja e tyre e veprimit dhe saktësia janë shqetësuese".
Sipas Tuskut, autoritetet polake regjistruan 13 goditje gjatë sulmeve ruse me dronë mbi perëndimin e Ukrainës gjatë natës. Ai paralajmëroi se Rusia mund të intensifikojë aktivitetet armiqësore në javët dhe muajt në vijim. "Fatkeqësisht, nuk mund të përjashtojmë që ky përshkallëzim të prekë edhe territorin tonë", tha kryeministri polak, duke theksuar se dronët mund të përdoren për të goditur funksionimin e hekurudhave ose të objekteve industriale.
Mbledhja u thirr si përgjigje ndaj goditjeve pranë kufirit. Të dielën në mëngjes, një dron rus goditi lokomotivën e një treni udhëtarësh në linjën Kiev-Varshavë, në rajonin e Volinit në Ukrainë, rreth dy kilometra larg kufirit me Poloninë. Operatori shtetëror hekurudhor ukrainas, Ukrzaliznytsia, njoftoi se asnjë nga 206 udhëtarët nuk u lëndua, pasi personeli i trenit ishte paralajmëruar paraprakisht për kërcënimin.
Në një incident të veçantë gjatë natës, një dron tjetër goditi një pikë karburanti pranë pikëkalimit kufitar Dorohusk-Jahodin, duke shkaktuar djegien e dy kamionëve.
Autoritetet polake deklaruan se sulmet nuk e cenuan hapësirën ajrore të vendit. Si masë paraprake, Polonia ngriti nga toka avionë luftarakë F-16 dhe lëshoi alarme për banorët e rajoneve kufitare.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

