Ankaraja hedh poshtë çdo prani të trupave të saj në bazën ajrore Abu Al-Duhur, të goditur nga Izraeli, dhe paralajmëron se do të vazhdojë "me vendosmëri" të mbrojë sovranitetin sirian.

Turqia mohoi të enjten, më 20 gusht, se kishte ndonjë prani ushtarake të sajën në bazën ajrore siriane të goditur ditën e martë nga Izraeli, duke i kthyer përgjigje arsyetimit izraelit se vendosja e trupave turke aty përbënte një kërcënim.
"Ne pohojmë se nuk kishte asnjë delegacion ushtarak turk në bazën ajrore Abu Al-Duhur para ose gjatë sulmit të kryer nga Izraeli kundër kësaj baze në Siri", deklaroi para gazetarëve një zyrtar i ministrisë turke të mbrojtjes.
Sulmi izraelit i së martës goditi një bazë ajrore në provincën e Idlibit, në veriperëndim të Sirisë. Baza kishte pësuar dëme të rënda gjatë luftës dhe qëndronte jashtë përdorimit që nga viti 2012.
Në përgjigje, kundëradmirali Zeki Akturk, nga ministria turke e mbrojtjes, e cilësoi goditjen si një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj shtetit sirian. "Sulmet kundër aeroportit ushtarak të Abu Al-Duhur synojnë të cenojnë stabilitetin, sigurinë, unitetin dhe integritetin e Sirisë", tha ai para shtypit, duke shtuar: "Në këtë kontekst, ne do të vazhdojmë me vendosmëri përpjekjet tona për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Sirisë."
Goditja izraelite u kritikua nga Shtetet e Bashkuara. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u mburr se i kishte bërë "qartë" të ditur Turqisë se ajo nuk duhet të ngrejë baza në Siri.
Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, një organizatë joqeveritare me qendër në Mbretërinë e Bashkuar dhe me një rrjet të gjerë burimesh brenda Sirisë, një delegacion ushtarak turk kishte vizituar kohët e fundit aeroportin "në kuadër të përpjekjeve në vazhdim për ta rikthyer atë në përdorim".
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

