Ankaraja i kërkon Interpolit një "njoftim të kuq" për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, të akuzuar për "gjenocid" dhe krime kundër njerëzimit lidhur me ndërhyrjen ushtarake kundër Flotiljes që synonte Gazën.

Turqia ka lëshuar një urdhërarrest ndërkombëtar kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për rastin e Flotiljes për Gaza, sipas njoftimit të qeverisë së Ankarasë. Një urdhërarrest i ngjashëm është lëshuar edhe për një shtetas tjetër izraelit, Afek Moskovic.
Masat u shpjeguan nga ministri i Drejtësisë i Turqisë, Akin Gyrlek, në kuadër të një hetimi mbi ndërhyrjen kundër Sumud Flotiljes dhe mbi ndalimin e aktivistëve nga forcat izraelite muajin maj të kaluar. Sipas ministrit, Ministria e Drejtësisë i ka kërkuar Ministrisë së Brendshme të lëshojë një "njoftim të kuq" (red notice) për arrestimin ndërkombëtar të dy personave.
"Në kuadër të procedurës ligjore lidhur me sulmin në ujëra ndërkombëtare kundër aktivistëve të Flotiljes dhe në përputhje me urdhërarrestet e lëshuara më 14 korrik 2026 kundër Benjamin Netanyahut dhe Afek Moskovicit për 'gjenocid', Ministria e Drejtësisë i ka kërkuar Ministrisë së Brendshme të lëshojë një 'njoftim të kuq' për arrestimin e tyre ndërkombëtar", deklaroi Gyrlek.
Në Turqi, Netanyahu dhe Moskovic ndiqen penalisht për "krime kundër njerëzimit, gjenocid, privim të rënduar të lirisë, agresion e dhunë fizike, torturë, shkatërrim pronash, plaçkitje të rënduar dhe rrëmbim të mjeteve të transportit", sipas ministrisë.
Ngjarja që qëndron në themel të hetimit daton në muajin maj. Rreth 430 anëtarë të ekuipazhit të pesëdhjetë anijeve të ndërhyra nga ushtria izraelite në Mesdhe, në perëndim të Qipros, u dërguan me forcë në Izrael dhe më pas u mbajtën në burgun e Ktziotit para se të deportoheshin. Ministri i Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Itamar Ben-Gvir, shkaktoi indinjatë ndërkombëtare pasi shpërndau një video ku shfaqej mes aktivistëve të ndaluar, të detyruar në gjunjë dhe me duart të lidhura.
Ministri turk i Drejtësisë e mbrojti vendimin me tone të ashpra. "Nuk pranojmë në asnjë mënyrë idenë se qeveria e Netanyahut, që zbaton një politikë gjenocidi në Gaza, është e paprekshme dhe e padënueshme. Nuk do të lejojmë që krimet e kryera në Gaza të fshihen, as që përgjegjësit të mbrohen nga një mburojë mosndëshkimi. Do të përdorim me vendosmëri të gjitha mundësitë e ofruara nga e drejta kombëtare dhe ndërkombëtare", deklaroi Gyrlek në rrjetin social X.
"Nën udhëheqjen e presidentit tonë Erdogan, do të vazhdojmë të qëndrojmë të palëkundur pranë popullit palestinez, të shtypurve dhe ndërgjegjes së njerëzimit. Do të ndërmarrim me vendosmëri të gjithë hapat e nevojshëm që ata që kryejnë krime kundër njerëzimit të përgjigjen para ligjit", shtoi ai. Në njoftimin e saj, qeveria e Ankarasë theksoi se "qeveria izraelite nuk është as e paprekshme, as e padënueshme".
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

