Në një qeli rreth 6 me 3 metra në Minna të Nigerisë ishin mbyllur mbi 50 minatorë. Tridhjetë e tre prej tyre vdiqën brenda, katër të tjerë më vonë në spital. Të mbijetuarit thonë se rojet nuk u dhanë as ujë.

Usman Muhammad ndalet te hyrja e qelisë, mbështet ballin pas murit dhe nuk arrin të flasë. Një ditë më parë ai ishte brenda saj, i mbyllur bashkë me mbi 50 të burgosur të tjerë në një dhomë që mat rreth 6 metra me 3 metra. Tridhjetë e tre nga bashkëqelizarët e tij nuk dolën të gjallë nga ajo dhomë në Minna, kryeqytetin e shtetit Niger në Nigeri. Katër të tjerë vdiqën më vonë në spital.
"Kurrë në jetën time nuk kam ndier një nxehtësi të tillë. Kur preknim trupat e njëri-tjetrit, dukej sikur digjeshin nga zjarri", tregon Muhammad, një minator artizanal rreth të njëzetat.
Kur u mbyll brenda, kishte vend vetëm për të qëndruar në këmbë. Lagështia kalonte 90 për qind, jashtë temperatura ishte mbi 25 gradë Celsius dhe i vetmi ajrim vinte nga një dritare e vogël lart në mur. Orët kaluan dhe nxehtësia me dehidratimin u bënë të padurueshme. Sipas Muhammadit, disa nga të ndaluarit nisën të pinin urinën e vet dhe të mblidhnin djersën nga trupat për të mbetur gjallë.
"Njëri prej nesh u fik dhe ne nisëm t'i biem derës. Kur erdhi [një roje], i kërkuam ujë. Ai shikoi djalin që ishte fikur dhe e mbylli derën. Kështu filluan të vdisnin njëri pas tjetrit", thotë ai. Muhammad përshkruan njerëz në agoni, që mundoheshin të merrnin frymë: "Njerëzit thërrisnin për ndihmë, disa ishin tashmë shumë të dobët." Askush nuk erdhi, pretendojnë ai dhe të tjerë.
Të njëjtën gjë rrëfen edhe Adamu Isah, një tjetër i mbijetuar, që foli për agjencinë Reuters. "Ndërsa ishim në qeli, bërtisnim dhe u thoshim se njerëzit po vdisnin", tha ai. "U përpoqëm ta thyenim derën kur ata nuk pranuan ta hapnin… Në një moment, një oficer sigurie erdhi te dera." Sipas Isahut, përgjigjja ishte e ftohtë: "Ne bërtisnim dhe i thoshim se njerëzit po vdisnin, por ai tha se nuk ishte problemi i tij nëse njerëzit vdisnin."
Të ndaluarit ishin minatorë artizanalë, njerëz që nxjerrin bukën e gojës duke kërkuar metale të çmuara nëpër minierat afër Minnas. Qeveria federale ka nisur një fushatë kundër kësaj veprimtarie që e cilëson të paligjshme, me argumentin se i kushton vendit të ardhura, dëmton mjedisin dhe mund të lidhet me kriminalitet më të gjerë. Oficerë të Korpusit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Civile të Nigerisë (NSCDC) arrestuan një grup të madh minatorësh pranë Minnas të martën dhe të mërkurën e javës së kaluar dhe i mbajtën në qendrën e ndalimit të agjencisë në qytet. NSCDC nuk ka bërë publike as emrat, as numrin e personave që kishte nën mbajtje.
Vdekjet masive shkaktuan revoltë dhe nxitën protesta, duke përfshirë sulme ndaj ndërtesave publike, ndërsa familjarët dhe banorët kërkonin përgjigje. Zyrtarët federalë fillimisht ia atribuuan vdekjet një shpërthimi të difterisë, por ajo që ndodhi vërtet brenda asaj qelie tashmë është objekt hetimi.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

