Vetëm orë para nisjes së stërvitjeve të mëdha vjetore me Seulin, presidenti amerikan Donald Trump i quajti "të papërshtatshme dhe armiqësore" dhe urdhëroi Pentagonin t'i "reduktojë ndjeshëm", duke përmendur marrëdhënien e tij me liderin verikorean Kim Jong-un.

Vetëm pak orë para se të nisnin të hënën, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, urdhëroi Pentagonin të shkurtonte stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut, duke i cilësuar ato "të papërshtatshme dhe armiqësore".
Stërvitjet, të njohura si Ulchi Freedom Shield, janë njëra nga dy manovrat kryesore vjetore që Koreja e Jugut dhe SHBA-ja zhvillojnë së bashku. Ato nisin të hënën dhe zgjasin deri më 27 gusht. Sipas planit, në to pritej të merrnin pjesë rreth 18.000 ushtarë jugkoreanë, krahas forcave amerikane dhe personelit nga 11 prej 18 vendeve anëtare të Komandës së Kombeve të Bashkuara (UNC), organi shumëkombësh që mbikëqyr armëpushimin e vitit 1953, i cili ndaloi luftimet e Luftës së Koresë.
Të dielën në mbrëmje, Trump tha se nuk ishte "i lumtur" me pjesëmarrjen amerikane "bazuar në marrëdhënien time shumë të mirë me Kim Jong-un". Ai shtoi se stërvitjet ishin të kushtueshme dhe se "dërgojnë një sinjal që është krejtësisht i papërshtatshëm dhe armiqësor, ndaj një vendi që, për sa kohë që Donald J. Trump ka qenë president, ka qenë jokërcënues dhe respektues".
Presidenti amerikan tha se ishte tepër vonë për t'i anuluar stërvitjet, ndaj kishte urdhëruar sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, t'i "reduktojë ndjeshëm". Trump pretendoi gjithashtu se Koreja e Jugut kishte refuzuar të ndihmonte në "çnuklearizimin e Republikës Islamike të Iranit".
Reagimet e ekspertëve në Seul ishin të ndara. Cheong Seong-chang, nënkryetar i Institutit të Mendimit Sejong me seli në Seul, tha se Trump mund të shkonte edhe më tej nëse takohet sërish me Kim, duke vendosur ndoshta t'i pezullojë krejtësisht stërvitjet ose të ulë numrin e trupave amerikane pa u konsultuar me Korenë e Jugut.
Nga ana tjetër, Leif-Eric Easley, profesor i studimeve ndërkombëtare në Universitetin e Grave Ewha në Seul, paralajmëroi se zvogëlimi i stërvitjeve do të "ngadalësonte procesin e marrjes së përgjegjësisë më të madhe nga Koreja e Jugut për mbrojtjen e vet, dhe do të dobësonte parandalimin ndaj konflikteve të mundshme në Azi". "Kursimet nga zvogëlimi i stërvitjeve janë të papërfillshme, ndërsa përfitimet diplomatike për marrëdhëniet me Korenë e Veriut janë të dyshimta", tha ai për agjencinë Agence France-Presse.
Lim Eul-chul, ekspert për Korenë e Veriut në Universitetin Kyungnam, shtoi se Phenjani nuk ka gjasa të lëvizë nga njoftimi i Trump. "Veriu do ta shohë atë si domethënëse vetëm nëse stërvitjet e përbashkëta anulohen tërësisht dhe jo thjesht zvogëlohen. Ka pak arsye ta konsiderojë këtë si domethënëse", tha ai.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

