Presidenti amerikan e korrigjoi hapur zëvendëspresidentin JD Vance në mes të luftës me Iranin: qëllimi numër një nuk është nafta e lirë, por të pengohet Teherani të pajiset me armë bërthamore.

Në mes të një lufte që ka trazuar tregjet botërore të energjisë, kreu i administratës amerikane doli publikisht kundër zëvendëspresidentit të tij mbi çështjen më themelore: cili është në të vërtetë synimi kryesor i SHBA-së në përballjen me Iranin.
Përplasja nisi javën e kaluar. Zëvendëspresidenti JD Vance, i ftuar të enjten në Fox News, deklaroi se "qëllimi nr. 1" i administratës gjatë luftës ishte "të mbahet nafta dhe gazi i lirë për amerikanët në të gjithë vendin". "E pastaj, natyrisht, qëllimi nr. 2 është të sigurohemi që Irani të mos marrë kurrë armë bërthamore", shtoi ai, duke pretenduar se administrata po i arrinte të dyja objektivat.
Disa ditë më vonë, presidenti Donald Trump e korrigjoi hapur nënkryetarin e tij. Në rrjetet sociale ai porositi se pengimi i Iranit që të pajiset me armë bërthamore është "qëllimi numër një, dhe gjithmonë do të jetë".
Dallimi mes dy zyrtarëve më të lartë të Shtëpisë së Bardhë është veçanërisht i dukshëm sepse Trump ka këmbëngulur përgjatë gjithë konfliktit se programi bërthamor iranian është më i rëndësishëm se pasojat ekonomike të luftës për amerikanët. Qysh në maj, i pyetur nëse presioni financiar mbi familjet amerikane ndikon në vendimet e tij, ai u përgjigj se e shqetësonte vetëm arma bërthamore iraniane.
"E vetmja gjë që ka rëndësi kur bëhet fjalë për Iranin është që ata të mos kenë armë bërthamore. Nuk mendoj për situatën financiare të amerikanëve. Nuk mendoj për askënd. Mendoj për një gjë të vetme. Nuk duhet t'i lejojmë Iranit të ketë armë bërthamore, kaq", tha ai.
Shtëpia e Bardhë u përpoq ta zbuste mospajtimin e dukshëm. Zëdhënësja Karoline Leavitt tha të premten se për Trumpin të dyja synimet janë njësoj të rëndësishme, por në të njëjtën deklaratë theksoi se prioriteti i presidentit është pengimi i Iranit. "Sigurisht, duam të mbajmë çmime të ulëta të karburantit. Prandaj administrata ka bërë kaq shumë që tregjet të mbeten të qëndrueshme, por sigurimi që Irani të mos arrijë kurrë armën bërthamore është prioriteti i presidentit në këtë konflikt", tha Leavitt.
Momenti i publikimit të mesazhit të Trumpit ishte domethënës. Ai u shfaq vetëm pak minuta pasi Lawrence Jones, moderator i emisionit "Fox and Friends", komentoi deklaratën e Vance dhe kërkoi "më shumë qartësi" nga Shtëpia e Bardhë për synimet amerikane në luftë. Rreth tetë minuta pas komentit të Jones, Trump publikoi se arma bërthamore iraniane është qëllimi numër një. "Duket se morëm edhe një përgjigje nga presidenti se cili është prioriteti nr. 1 për Shtetet e Bashkuara", tha më vonë Jones në emision.
Mospajtimi vjen në një kohë kur lufta po godet fort çmimet e energjisë. Konflikti rreth Ngushticës së Hormuzit ka shkaktuar paqëndrueshmëri në tregun global, ndërsa çmimi mesatar i një galoni benzinë të zakonshme në SHBA, sipas të dhënave të GasBuddy, është 4,02 dollarë — mbi një dollar më i lartë se çmimi në fillim të luftës.
Megjithatë, Trump këmbëngul se çmimi i mosveprimit ndaj Iranit është shumë më i lartë. Të premten e kaluar ai tha se nuk do t'u kërkojë falje amerikanëve për karburantin më të shtrenjtë. "Irani është sponsori shtetëror më i madh i terrorizmit në botë. Nuk duam që ata të kenë armë bërthamore", tha Trump. "Prandaj kujtojeni këtë kur do t'ju duhet të paguani pak më shumë, tani jeni në 4 dollarë. Kjo është në rregull. Unë kurrë nuk do të kërkoj falje. Veprova drejt."
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

