Presidenti amerikan Donald Trump dëshiron një takim të ri me udhëheqësin verikorean Kim Jong Un para fundit të vitit, por Koreja e Veriut lëshon sinjale të rezervuara dhe përgatit kushte të vështira.

Donald Trump dëshiron t'ulet sërish në tryezë me Kim Jong Unin para fundit të vitit. Por nga Phenjani, përgjigjet mbeten të rezervuara: Koreja e Veriut duket se po përgatit kushte të rënda për një takim të ri, edhe pse të dy udhëheqësit vetë e përshkruajnë marrëdhënien mes tyre si të shkëlqyer.
Presidenti amerikan e ka shfaqur qartë interesin. Në fillim të kësaj jave ai ka reduktuar ndjeshëm përmasat e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut, duke i cilësuar ato si "armiqësore" ndaj Koresë së Veriut. Dy ditë më parë, Trump deklaroi se pret të takohet me Kimin më vonë gjatë këtij viti.
Një mundësi konkrete për një takim në rajon mund të jetë samiti i Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) në Shenzhen, ku Trump mund të udhëtojë nga fundi i vitit — me kusht që Phenjani të shfaqë interes për bisedime të reja. Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit e mbajti derën hapur: "Shtetet e Bashkuara mbeten të hapura për dialog me Korenë e Veriut pa parakushte. Presidenti dhe Kim Jong Un do të takohen sërish kur të vijë koha për këtë", tha ai.
Nga ana e saj, Koreja e Veriut ndan qartë simpatinë personale nga politika zyrtare. Sipas Lim Eul-chulit, profesor në Institutin e Studimeve të Lindjes së Largët në Universitetin Kyungnam, në përgjigjet e deritanishme Phenjani thekson "marrëdhënien e shkëlqyer personale" të Kimit dhe Trumpit, por tregon njëkohësisht se këtë marrëdhënie e mban të veçuar nga qëndrimi zyrtar ndaj Uashingtonit.
Sinjalin më të fortë e dha Kim Yo Jong, motra me ndikim e udhëheqësit verikorean. Ajo deklaroi se stërvitjet e SHBA-së me Korenë e Jugut mbeten agresive dhe se politika amerikane ndaj Koresë së Veriut është armiqësore. Kim Yo Jong mohoi gjithashtu se Trump dhe Kim kanë qenë në kontakt, ndonëse edhe ajo e cilësoi marrëdhënien e tyre si të shkëlqyer.
Tensioni u shpreh edhe në terren. Ushtria jugkoreane njoftoi se Koreja e Veriut lëshoi një ditë më parë rreth dhjetë projektilë balistikë nga bregu i saj lindor. Analistët e vlerësojnë këtë hap si protestë ndaj stërvitjeve ushtarake të SHBA-së dhe Koresë së Jugut që janë ende në zhvillim.
Sipas Jenny Town, eksperte amerikane për Korenë e Veriut dhe sigurinë në gadishullin korean, Phenjani i ka përcaktuar tashmë qartë kushtet për një takim — dhe ato janë kërkesa jashtëzakonisht të larta për SHBA-në. Kushtet përfshijnë ndryshime rrënjësore të politikës amerikane për të hequr elementet që Phenjani i konsideron armiqësore, si dhe pranimin e statusit bërthamor të Koresë së Veriut ose të paktën një deklaratë të Uashingtonit se çbërthamorizimi nuk është më objektiv.
"Pyetja është se sa është i gatshëm Trump t'i plotësojë ato kushte për të siguruar një takim brenda afatit që ai vetë e ka vendosur", shtoi Town. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit përsëriti se SHBA "mbetet e përkushtuar ndaj çbërthamorizimit të plotë të Koresë së Veriut".
Skepticizmi ka rrënjë të thella. Trump zhvilloi një sërë samitesh historike me Kimin në vitet 2018 dhe 2019, por përpjekjet diplomatike dështuan sepse SHBA kërkonte që Koreja e Veriut të hiqte dorë nga armët bërthamore. Që atëherë, Trump e ka quajtur disa herë Korenë e Veriut "fuqi bërthamore", ndonëse administrata e tij vazhdon të thërrasë për çbërthamorizim dhe zyrtarisht nuk ia njeh atë status.
Ndryshe nga mandati i parë i Trumpit, kur kërkonte heqjen e sanksioneve, Kimi tani ka më pak motive për një takim. Ndërkohë, Koreja e Veriut i është afruar Kinës dhe Rusisë, dhe forcimi i tregtisë me to po ndihmon ekonominë e saj. "Koreja e Veriut ka opsione të tjera dhe po ndërton marrëdhënie me shtete që nuk kërkojnë heqje dorë, por ofrojnë bashkëpunim reciprokisht të dobishëm", tha Town. "Nuk ka arsye të nxitohet drejt bisedimeve në të cilat pritet që Kimi të bëjë lëshime, sidomos kur bëhet fjalë për atë që ai e konsideron thelbësore për mbrojtjen e vendit", shtoi ajo.
Megjithatë, dera nuk duket krejt e mbyllur. Hong Min, bashkëpunëtor i lartë shkencor në Institutin Korean për Ribashkimin Kombëtar, vlerëson se përgjigja e Phenjanit është e matur, me qëllim që të lihet hapësirë për diplomaci. "Qëllimi kryesor është të nxitet SHBA drejt një qëndrimi më të butë", tha Hong. "Deklarata e Kim Yo Jongut nuk tingëllon si refuzim i dialogut, por si përpjekje për të ndikuar te perceptimi i Trumpit dhe për të përgatitur terrenin për biseda të ardhshme", theksoi ai.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

