Presidenti amerikan e ktheu për herë të dytë kërcënimin drejt Muskatit, ndërsa afati dymujor për një marrëveshje me Teheranin skadoi pa asnjë përparim dhe lufta SHBA-Izrael kundër Iranit i afrohet gjashtë muajve.

Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi sërish se do të bombardojë Omanin nëse ky vend “ndërhyn” në përpjekjet e tij për t’i dhënë fund luftës mes SHBA-Izraelit dhe Iranit. “Nëse Omani ndërhyn, do t’i bombardojmë sa të mundemi,” tha Trump për Fox News të hënën. Është hera e dytë që kërcënime të tilla drejtohen ndaj Muskatit, një partneri strategjik të vjetër të Uashingtonit, që tradicionalisht ka shërbyer si kanal i fshehtë komunikimi mes SHBA-së dhe Teheranit.
Kërcënimi erdhi teksa presidenti amerikan përpiqet ta mbyllë konfliktin, gati gjashtë muaj pas nisjes së tij, dhe ndërsa dritarja diplomatike e rënë dakord me Teheranin skadoi pa asnjë marrëveshje përfundimtare në horizont. Megjithatë, Trump pohoi gjatë të njëjtës intervistë se “nuk është me ngut” për të arritur një marrëveshje.
Afati dymujor për një zgjidhje të negociuar u mbyll të hënën pa asnjë përparim. Trump ka pretenduar në mënyrë të përsëritur se lufta do të mbarojë “së shpejti”, duke folur muajt e fundit për mundësinë e një paqeje të qëndrueshme, por pa u konkretizuar asnjë kthesë e tillë.
Në të njëjtën intervistë, Trump tha se Irani duhet të “ngrejë flamurin e bardhë të dorëzimit”, por dha shenja se nuk do të vendoste një afat të ri për Teheranin. “Nuk kam asnjë orar. Nuk jam me ngut,” tha ai.
Kthesa më e re erdhi pas një memorandumi mirëkuptimi që Trump kishte nënshkruar me Iranin më 17 qershor, në Pallatin e Versajës, në kuadër të samitit të G7-ës. Ai memorandum kishte pezulluar armiqësitë dhe kishte vendosur një dritare maksimale prej 60 ditësh — të zgjatshme vetëm me pëlqim të ndërsjellë — që të dyja palët të arrinin një marrëveshje gjithëpërfshirëse mbi lehtësimin e sanksioneve, programin bërthamor iranian dhe mosmarrëveshje të tjera.
Trump hodhi poshtë edhe shqetësimet se arsenali i Uashingtonit po zbrazej pas gati gjashtë muajsh luftimesh, duke i thënë Fox News se ajo që SHBA ka shpenzuar deri tani kundër Iranit është “kacidhe”. Ai la të kuptohej se shumë prej municioneve më të përparuara amerikane, përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore, ishin “dhuruar” tashmë Ukrainës nën paraardhësin e tij, ish-presidentin Joe Biden — një pohim që përkon me paralajmërimet e analistëve të mbrojtjes më herët gjatë luftës, se rezervat amerikane dhe të aleatëve po shterreshin më shpejt sesa mund të rimbusheshin.
Në rrjetin e tij Truth Social, presidenti ripohoi vijën e tij të kuqe në negociata: “Qëllimi numër një është, dhe do të mbetet gjithmonë, që Irani të mos ketë, në asnjë mënyrë e formë, një armë bërthamore,” shkroi ai.
Kërcënimet ndaj Omanit lidhen ngushtë me ngërçin te Ngushtica e Hormuzit — një pikë kalimi vendimtare për tregtinë globale, nga ku zakonisht kalon rreth një e pesta e furnizimeve botërore të naftës me anije. Ngushtica ka mbetur praktikisht e mbyllur që kur SHBA dhe Izraeli nisën luftën kundër Iranit në shkurt. Irani ndodhet në veri të ngushticës, Omani në jug, dhe të dy vendet kanë qenë në bisedime për kontrollin e saj.
Nuk është hera e parë që Muskati bëhet cak i një gjuhe të tillë. Në një koment të rastësishëm gjatë një mbledhjeje qeverie në maj, Trump kishte kërcënuar se do ta “hidhte në erë” Omanin nëse nuk “sillej mirë”. Të premten, ai kërcënoi gjithashtu se do ta shpallte Ngushticën e Hormuzit “territor të Shteteve të Bashkuara”.
Përveç lidhjeve ushtarake dhe ekonomike disadekadëshe me SHBA-në, ky vend i Gjirit me 5.3 milionë banorë ka luajtur rol ndërmjetësues në luftë dhe vetë ka pësuar sulme nga Teherani. Ministria e Jashtme e Iranit tha të hënën se bisedimet me Omanin po “vazhdojnë me seriozitet”, pavarësisht daljes së fundit të Trumpit.
Trump konfirmoi për herë të parë se Uashingtoni kishte hapur një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të Iranit, të cilin SHBA dhe Izraeli e kanë synuar gjatë gjithë konfliktit. “Janë lojtarë të mirë pokeri, por po vdesin,” tha ai për udhëheqjen e IRGC-së.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

