Një institut liberal amerikan konkludon se dërgimi i Gardës Kombëtare në tri qytete nuk uli krimin, megjithë kostot miliardëshe. Përgjigjja e presidentit amerikan: një letër që kërcënon me padi 5 miliardë dollarë nëse raporti nuk tërhiqet.

Një raport që vë në dyshim efektivitetin e njërës prej politikave të sigurisë të Donald Trumpit është kthyer në terren beteje ligjore. Instituti kërkimor liberal Center for American Progress (Cap) ka marrë një letër nga avokati i presidentit amerikan, që kërcënon me një padi prej 5 miliardë dollarësh nëse organizata nuk e tërheq dokumentin.
Raporti, i publikuar më 13 korrik, argumenton se dislokimi i Gardës Kombëtare në Uashington DC, Memfis dhe Los Anxhelos dështoi të kishte një ndikim të matshëm mbi krimin në këto qytete, ndonëse kostoja e vlerësuar arriti në 1,7 miliardë dollarë. Autorët krahasuan rënien e krimit në qytetet pa ndërhyrjen e Gardës Kombëtare dhe konkluduan se ajo nuk është statistikisht e ndryshme nga rënia në qytetet ku ndërhyrja ndodhi. Sipas raportit, krimi i dhunshëm kishte nisur të binte shumë kohë përpara se Trumpi të merrte detyrën në vitin 2025.
Në përgjigje, Alejandro Brito, një avokat personal i Trumpit, i dërgoi Cap-it një letër që kërcënon me padi nëse qendra nuk e tërheq raportin kërkimor. Letra përbën një kërcënim nga Trumpi për ta paditur qendrën në cilësinë e tij personale, dhe jo në emër të qeverisë federale.
Të premten, qendra doli me një deklaratë ku qëndroi pas raportit të saj dhe e cilësoi kërcënimin si sulm ndaj së drejtës së publikut për t'i thënë të vërtetën pushtetit.
"Bazuar në analizën e të dhënave për krimin, raporti ynë provoi fakte për dislokimet e Gardës Kombëtare që janë të papërshtatshme për administratën Trump", shkroi Neera Tanden, presidentja dhe drejtorja ekzekutive e Cap-it. "Ky sulm i padisë së kërcënuar ndaj fakteve dhe provave është i pabazë. Një mbrojtje themelore e Amendamentit të Parë është të lejojë botimin e fakteve dhe analizave që bien ndesh me argumentet dhe pretendimet e çdo administrate. Një padi është një përpjekje e hapur për të na heshtur. Ne nuk do të përkulemi e as do të dorëzohemi para saj."
Në letrën që kërkon tërheqjen e raportit, Brito argumenton se "efekti mbi mendjen e lexuesit dhe shikuesit të Deklaratave që të Paditurit synuan të imponojnë është se Presidenti i Shteteve të Bashkuara mashtroi me vetëdije popullin amerikan, manipuloi statistikat e krimit për përfitim politik, shfrytëzoi frikën publike, abuzoi me autoritetin ushtarak dhe ekzekutiv për një qëllim të fshehtë, vuri në skenë një operacion të rremë të zbatimit të ligjit, dhe pastaj gënjeu për suksesin e tij".
Cap e ka cilësuar pretendimin për shpifje si "absurd", duke këmbëngulur se konkluzionet e tij janë pohime faktike mbi kërkimin e vet. Sipas qendrës, raporti dhe komenti "në thelbin e tyre, kanë të bëjnë me statistikat e krimit dhe shkakësinë, ose veprimet e qeverisë federale, jo me vetë Presidentin Trump". "Përveçse janë të vërteta, këto pohime nuk mund ta shpifin Presidentin Trump sepse nuk kanë të bëjnë me të", shkroi qendra.
Cap konsiderohet si instituti kryesor liberal i Uashingtonit. Ai u themelua në vitin 2003 nga John Podesta, ish-shefi i kabinetit të Shtëpisë së Bardhë nën Klintonin, i cili më vonë drejtoi fushatën presidenciale të Hillary Klintonit në vitin 2016.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

