Nga Zyra Ovale, presidenti amerikan etiketoi kandidatët demokratë të zgjedhjeve të nëntorit si “xhihadistë”, ndërsa vëmendjen e përqendroi te Abdul El-Sayed, kandidati mysliman që fitoi nominimin në Miçigan.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka përshkruar kandidatët demokratë të zgjedhjeve gjysmëfundore të nëntorit si “xhihadistë” — një aludim i qartë ndaj kandidatit demokrat mysliman Abdul El-Sayed, i cili javën e kaluar siguroi nominimin e partisë së tij për zgjedhjet primare në shtetin e Miçiganit.
“Kemi xhihadistë që po zgjidhen kudo, qoftë komunizëm apo xhihadizëm”, u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale të hënën. Ai shtoi: “Një mik i imi më telefonoi dhe më tha, ‘E di […] duhet ta përdorësh fjalën xhihadist’, kjo është ajo që po ndodh. Nëse shikon çfarë po ndodh në vende të tjera, nuk jam vërtet i sigurt që kështu duam të jetojmë.”
Në të njëjtën dalje, presidenti nisi edhe një sulm ndaj personave me origjinë somaleze — që në SHBA numërojnë mbi 260.000 veta. Ai i cilësoi “jo të zgjuar”, duke thënë se nuk kanë “asnjë aftësi” dhe “asgjë të vlefshme” për t’u dhënë të drejtën t’i “tregojnë si ta drejtojnë vendin tonë”.
Sipas Edward Ahmed Mitchell, zëvendësdrejtor kombëtar i Këshillit për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike (CAIR), një organizatë amerikane për të drejtat civile dhe mbrojtjen e myslimanëve, retorika anti-myslimane e Trumpit “po vendos një shenjë shënjestre në kurriz të zyrtarëve myslimanë të zgjedhur në mbarë vendin tonë”. Mitchell theksoi se “ky lloj retorike e rrezikshme po nxit rritjen e ankesave për fanatizëm anti-mysliman që organizata jonë e të drejtave civile ka dokumentuar gjatë tre viteve të fundit”.
Ndonëse në Zyrën Ovale Trump nuk përmendi asnjë kandidat me emër, pak orë më vonë vëmendjen e përqendroi te El-Sayed, biri i emigrantëve egjiptianë. Presidenti ndau në rrjetin Truth Social një fotografi që tregonte kandidatin demokrat përpara një tubimi ku dukeshin dy gra me shami koke, e shoqëruar me mbishkrimin: “Ata po vijnë për shtëpinë dhe pasurinë tuaj.”
Javën e kaluar, Trump kishte sulmuar drejtpërdrejt fitoren e El-Sayed, duke e quajtur “urrejtës të hebrenjve” dhe “urrejtës të Izraelit” që do të sjellë “ndyrësi, krim, vdekje, shkatërrim, turp”.
Sulmi u shtua edhe nga republikanë të tjerë. Përfaqësuesja e Karolinës së Jugut, Nancy Mace, pohoi në rrjetet sociale se “çdo mysliman i vetëm që mban post publik në Amerikë është një kalë trojan dhe një kërcënim si për sigurinë kombëtare, ashtu edhe për republikën tonë”. Senatori i Alabamës, Tommy Tuberville, e etiketoi El-Sayed si “TERRORIST” dhe shkroi në rrjetet sociale se “Abdulrahman Mohamed El-Sayed është një ISLAMIST RADIKAL”.
Dalja e Trumpit erdhi vetëm dy ditë pasi ai kishte ndarë një postim që krahasonte një fotografi të tij me Zonjën e Parë, Melania Trump, me një tjetër të El-Sayed dhe bashkëshortes së tij, Dr. Sarah Jukaku, psikiatre. Imazhi mbante mbishkrimin: “Dy Amerika SHUMË TË NDRYSHME.”
Në një prononcim për emisionin “State of the Union” të CNN-së, me moderatorin Jake Tapper të dielën në mbrëmje, kandidati demokrat për Senat u përgjigj: “Sarah dhe unë vërtet e pëlqejmë njëri-tjetrin”, duke shtuar: “Nuk e di për Zonjën e Parë dhe presidentin, por nga sa kam dëgjuar, është pak rrugë e vështirë.”
Deklaratat vijnë me më pak se 90 ditë para zgjedhjeve gjysmëfundore, në të cilat janë në garë të 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe 34 vende në Senat. Demokratët po përballen me një ndarje ideologjike mes udhëheqësve të moderuar dhe progresistëve demokratë në ngjitje.
“Njerëzit nuk duan të kenë të çmendur radikalë të përfshirë në drejtimin e vendit tonë”, tha Trump të hënën, “dhe kjo është ajo që kemi.”
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

