Në tri lokacione në Zubin Potok janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin së paku 23 personave, ndërsa tre prej tyre janë identifikuar si pjesë e grupit të shqiptarëve të rrëmbyer më 19 prill 1999. Avokati Arianit Koci e lidh rastin me një pyetje të rëndë për Serbinë.

Pas 27 vitesh pritjeje, emrat e tre prej 23 shqiptarëve të rrëmbyer më 19 prill 1999 kanë dalë nga analizat e ADN-së. Ata janë pjesë e grupit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, dhe mbetjet e tyre u gjetën në Zubin Potok, në veri të Kosovës, ku në tri lokacione janë zbuluar mbetje mortore që dyshohet se u përkasin së paku 23 personave.
Autoritetet e Kosovës kanë kryer hetime dhe gërmime në disa pika në Zubin Potok. Për rastin janë ndërmarrë edhe veprime penale ndaj personave të dyshuar për krime lufte, ndonëse nuk është bërë e ditur se kush janë ata dhe në çfarë faze ndodhen procedurat.
Avokati Arianit Koci, në një postim në Facebook, shkroi se në veri të Kosovës po dalin në dritë dëshmi për krime të luftës. Sipas tij, dyshohet që mbetjet e zbuluara mund t’u përkasin pikërisht 23 të rrëmbyerve të prillit 1999, ndërsa identifikimi i tre viktimave me ADN ka konfirmuar lidhjen me këtë grup.
Koci vlerësoi angazhimin e institucioneve të Kosovës në hetimin e rastit dhe veçoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti: “Një meritë duhet t’ia njohim Albin Kurtit: nuk u tërhoq përballë presionit”.
Postimin e tij e mbylli me një pyetje drejtuar Beogradit: “E tash, pyetja është: A ka lidhje insistimi i Serbisë për veriun edhe me fshehjen e krimeve të luftës?”
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

