Një copë shine e rëndë 250 deri në 300 kilogramë, e vendosur mes binarëve, u godit nga treni Caen-Rouen që udhëtonte me 140 kilometra në orë. Nga përplasja mbetën të lënduar 44 persona dhe hetuesit francezë po ndjekin pistën e një akti kriminal.

Një copë shine disa metra e gjatë, me peshë të vlerësuar mes 250 dhe 300 kilogramësh, ishte vendosur mes binarëve në linjën Caen-Rouen në Normandi. Treni rajonal e goditi të premten në mbrëmje me shpejtësi 140 kilometra në orë. Rezultati: lokomotiva e përmbysur, xhama të thyer, panik në bord dhe 44 të lënduar mes 186 udhëtarëve.
Vendi i ngjarjes ndodhet në lartësinë e komunës së Cléon, në segmentin mes Tourville-s dhe Elbeuf-Saint-Aubin-it. Policia franceze nisi hetimin dhe pothuajse menjëherë u orientua drejt pistës së sabotazhit, sepse rrethanat ishin të qarta: treni përplasi një bllok të madh metali, çka e konfirmoi edhe makinisti, i cili mbeti i lënduar dhe në gjendje shoku.
Elementi që e forcon dyshimin për ndërhyrje të qëllimshme është kronologjia. Një orë më parë, nga e njëjta pikë kishte kaluar konvoji i mëparshëm dhe copa e shinës nuk ishte aty, ndërkohë që në atë segment nuk ishin kryer punime. Siç u tha për rrethanat e ngjarjes, tronconi i shinës "nuk ka arritur rastësisht mbi shina, pesha e tij është mes 250 dhe 300 kilogramëve".
Presidenti i Rajonit të Normandisë, Hervé Morin, deklaroi që në mëngjes se hipoteza më e mundshme është ajo e një veprimi kriminal. "Hipoteza më e mundshme është një akt që nuk është vetëm sabotazh, por që mund të përkufizohet thjesht si një veprim kriminal. Lokomotiva u përmbys, kjo do të thotë se pjesa që shkonte në drejtim të Caen-it u gjend e kthyer drejt Rouen-it, aq i dhunshëm ishte impakti", tha ai.
Prokurori i Rouen-it, Sébastien Gallois, bëri të ditur se hetuesit do të ekzaminojnë edhe kutinë e zezë të trenit. Testet e alkoolit dhe të lëndëve narkotike të kryera te makinisti dolën të gjitha negative. Prokuroria ka sqaruar se për rezultatet e para të hetimit do të duhet kohë.
Nga të lënduarit, e vetmja në gjendje më të rëndë është një vajzë 18-vjeçare, e transportuar me helikopter në spital, por jeta e saj nuk është në rrezik. Pothuajse të gjithë udhëtarët e tjerë morën ndihmë mjekësore dhe u lëshuan brenda ditës. Në spital kanë mbetur pesë persona.
Në rrjetet sociale u përhapën fotografi, ka gjasa të postuara nga ndonjë udhëtar, që tregojnë shinën metalike të vendosur mbi binarë dhe trenin e goditur. Në to duket një vagon i përmbysur me njërën anë në tokë dhe dy të tjerë të dalë nga shinat.
Franca e njeh këtë lloj krimi. Rasti i fundit ndodhi në kulmin e sezonit olimpik, gjatë Lojërave të Parisit 2024, kur disa sulme iu atribuuan grupeve që kundërshtonin Olimpiadën, formacione të ashtuquajtura "antagoniste" të së majtës më ekstreme, pa rezultate të mëdha në hetime.
Deri më tani nuk është identifikuar asnjë përgjegjës. Hetimi po kërkon në drejtim të atyre që mund të kishin pasur si objektiv shkaktimin e një aksidenti kaq të rëndë, si dhe mjetet e organizimin e nevojshëm për të zhvendosur një pengesë me atë peshë.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

