Një tren pasagjerësh me 206 njerëz në bord u godit nga një sulm rus me dronë pak para kufirit polak. Hekurudhat ukrainase nuk e përjashtojnë se objektivi mund të ketë qenë një tren tjetër, ai me diplomatë dhe ish-krerë shtetesh.

Treni që udhëtonte nga Kievi drejt Varshavës u godit të dielën nga një sulm rus me dronë pak para se të kalonte kufirin me Poloninë. Në bord ndodheshin 206 pasagjerë, sipas kompanisë polake hekurudhore PKP Intercity. Askush nuk u lëndua.
Sulmi ndodhi afër pikëkalimit kufitar të Jahodinit. Kryeministri polak, Donald Tusk, tha se kufiri ndodhej vetëm 800 metra larg vendit ku u godit treni. Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, e cilësoi sulmin rus si të qëllimshëm.
Momenti i goditjes e bën ngjarjen edhe më të ndjeshme. Sulmi ndodhi vetëm pak minuta pasi një varg këshilltarësh evropianë të sigurisë ishin larguar nga vendngjarja, mes tyre ish-kryeministri suedez Carl Bildt dhe ish-kryeministri britanik Boris Johnson, sipas BBC-së. Në stacion raportohet se ka qenë edhe ish-shefi i CIA-s, David Petraeus, në një tren tjetër.
Kompania shtetërore hekurudhore e Ukrainës, Ukrzaliznicja, njoftoi se "është plotësisht e mundur" që objektivi i sulmit të ketë qenë treni me diplomatët. Sipas saj, ai tren ishte nisur më herët sesa parashikonte orari dhe për këtë arsye nuk u godit. Nëse treni i diplomatëve ka qenë vërtet shenjestra, mbetet e paqartë.
Johnson reagoi nga rrjeti social X: "Nuk e di se çfarë lloj logjike e shtrembëruar e shtyu Putinin të shpërthejë një tren ukrainas të palëvizshëm në kufirin polak këtë mëngjes. Ajo që mund të themi është se ky është lloji i sulmit të rastësishëm dhe të pakuptimtë me të cilin ukrainasit jetojnë çdo ditë, madje edhe në linjat civile hekurudhore".
Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski, foli për një kapërcim të ri të pragut të luftës. "Kjo është një eskalim. Kjo është edhe një sfidë e madhe për Ukrainën dhe për viktimat hipotetike të ardhshme të agresionit rus. Kjo do të thotë se ne duhet ta dyfishojmë përpjekjen tonë për të mbështetur Ukrainën", deklaroi ai në një konferencë për shtyp në Kiev të dielën.
Autoritetet ruse e konfirmuan sulmin ndaj trenit të pasagjerëve. Ministria e Mbrojtjes në Moskë deklaroi: "Sulmet kanë vazhduar ndaj infrastrukturës hekurudhore në rajonet perëndimore të Ukrainës, e cila përdoret për të transportuar material ushtarak nga vendet evropiane".
Ngjarja vjen pas paralajmërimeve të Tuskut se Rusia mund të përdorë dronë me motor reaktiv dhe se Polonia duhet të përgatitet, një shqetësim që tani merr përmasa konkrete në një pikë vetëm qindra metra larg territorit polak.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

