Dy vrasje brenda familjes, në dy fshatra të Gjilanit dhe me vetëm dy ditë diferencë, kanë lënë pas tre të vdekur. Njëri i dyshuar u dorëzua vetë në polici, ndërsa tjetri, një baba që dyshohet se vrau djalin e tij, ende nuk është kapur.

Komuna e Gjilanit numëron tre viktima në më pak se 48 orë, në dy ngjarje që kanë një tipar të përbashkët: dhunën brenda familjes.
E para ndodhi të premten në Livoç të Ulët. Një burrë dyshohet se u mori jetën bashkëshortes së tij dhe vëllait të saj. Pas ngjarjes ai u paraqit vetë në polici dhe ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Të dielën, në fshatin Pogragjë, ndodhi vrasja e dytë. Këtu një baba dyshohet se vrau djalin e tij. Ndryshe nga rasti i Livoçit, i dyshuari për këtë ngjarje ndodhet ende në arrati.
Dy rastet vijnë në një vit me shifra të rënduara. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, nga janari deri në shtator janë evidentuar 17 raste vrasjesh në vend, nga të cilat 12 janë cilësuar si vrasje të rënda dhe dy si vrasje nga pakujdesia.
Ngjarjet e Gjilanit kanë rikthyer në qendër të vëmendjes shqetësimin për dhunën dhe sigurinë, si dhe pyetjen se si mund të parandalohen me kohë konfliktet që përfundojnë me humbje jete.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

