Avokati amerikan Pierre-Richard Prosper thotë se vendimi i Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së ishte "i shkruar paraprakisht", se 44 ankesa të mbrojtjes u rrëzuan pa përjashtim dhe se objektivi tani është pastrimi i emrit të Thaçit në apel.

Mbrojtja e Hashim Thaçit ka hapur betejën e dytë, atë të apelit, me një akuzë të hapur ndaj gjyqtarëve të Hagës. Avokati amerikan Pierre-Richard Prosper, mbrojtës i ish-krerit të UÇK-së të gjykuar para Dhomave të Specializuara të Kosovës, e cilësoi aktgjykimin si të padrejtë dhe të paracaktuar, duke shkuar edhe më tej: sipas tij, trupi gjykues nuk gjykoi vetëm katër individë, por edhe historinë e luftës.
"Tre burra kanë rishkruar dhe kanë shlyer historinë!", deklaroi Prosper, duke iu referuar tre gjyqtarëve që shqyrtuan rastin.
Në një intervistë në emisionin "Rubikon" në Klan Kosova, Prosper u përqendrua në cilësimin e UÇK-së si "Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale", të cilin e quajti problem të madh për mënyrën si interpretohet lufta çlirimtare. Sipas tij, aktgjykimi ka krijuar përshtypjen se drejtuesit e UÇK-së ishin përgjegjës për të gjitha abuzimet e kryera nga individë apo grupe gjatë luftës, dhe jo vetëm për veprime konkrete të personave të caktuar. Një interpretim i tillë, argumentoi ai, prek edhe trashëgiminë e çlirimit dhe të pavarësisë së Kosovës, si edhe rolin e NATO-s gjatë luftës.
Boshti i mbrojtjes, siç e përshkroi avokati, ishte pikërisht mungesa e një zinxhiri komandimi. Prosper tha se ekipi i tij paraqiti informacione nga NATO, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Kombet e Bashkuara, që sipas tij dëshmonin se brenda UÇK-së nuk kishte strukturë efektive komandimi dhe kontrolli. "Ne kishim informacion kredibil, të besueshëm nga i gjithë aparati i inteligjencës i NATO-s, shteteve anëtare të NATO-s dhe vendeve të tjera që e bënë të qartë se nuk kishte organizim dhe kontroll, s'kishte komandë dhe kontroll të UÇK-së", tha ai. Në të njëjtën linjë, ai përmendi një letër të Departamentit amerikan të Shtetit të vitit 1999, dërguar Senatit, për të cilën tha se theksonte mungesën e komandës efektive dhe të kontrollit të UÇK-së.
Gjykimin e vlerësoi me fjalë të prera: "Ky ishte një vendim i pandershëm. Është një situatë që është larg nga e vërteta, rishkruan historinë dhe përveç kësaj, e fshin historinë". Sipas Prosperit, gjyqtarët injoruan dëshmitarët e mbrojtjes, kundërpyetjet dhe prova që ai i cilësoi si kredibile, ndërsa vendimi dukej "i shkruar paraprakisht". I pyetur për dyshimet e tij për përfshirje politike në proces, u përgjigj: "Po, përgjigjja është po", duke shtuar se motivin e dinë vetëm tre gjyqtarët që e morën vendimin.
Ai solli edhe një statistikë: ekipi mbrojtës paraqiti 44 ankesa gjatë procesit dhe, sipas tij, nuk fitoi asnjërën, ndërsa ankesat e prokurorisë kishin marrë përgjigje pozitive. Mbrojtjes, thotë ai, i ishin vendosur pengesa gjatë përpjekjeve për të paraqitur atë që e konsideronte të vërtetën. Përkundër kësaj, Prosper pretendoi se ekipi i tij ka paraqitur "mbrojtjen më të mirë në historinë e gjykatave".
Një kapitull të veçantë të kritikës avokati i kushtoi emrave të disa ish-komandantëve të UÇK-së që përmenden në aktgjykim pa qenë pjesë e procesit gjyqësor. "Cili ishte qëllimi i etiketimit të njerëzve që as nuk ishin të pranishëm në sallën e gjyqit dhe as nuk patën mundësinë më elementare për të mbrojtur integritetin dhe emrin e tyre?", tha ai, duke shtuar se "gjykata praktikisht i ka shpallur fajtorë pa u dhënë kurrë mundësinë e një seance dëgjimore". Sipas tij, kjo ngre pikëpyetje për mundësinë e proceseve të tjera në të ardhmen. Prosper kritikoi po ashtu përmendjen e emrit të Beadin Allaqit në aktgjykim, duke thënë se rrethanat e këtij rasti ishin mbajtur më herët konfidenciale dhe se mbrojtja kishte materiale shfajësuese që nuk i ishte lejuar t'i diskutonte publikisht.
Avokati kundërshtoi interpretimin se aktgjykimi lidhet vetëm me katër individët e dënuar, me pretendimin se konstatimet për ekzistencën e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale kanë prekur më gjerësisht UÇK-në dhe trashëgiminë e luftës. Ai e vlerësoi si të rëndësishme shpalljen e pafajësisë së Thaçit për gjashtë pika që lidhen me krime kundër njerëzimit, por shtoi se gjykata pranoi akuzat për krime lufte.
Prosper ngriti edhe çështjen e transparencës, duke kritikuar vonesën në publikimin e aktgjykimit të plotë, që përmban më shumë se 2 mijë faqe.
I pyetur për iniciativën e PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, ai u shpreh se ajo tregon se Kosova po përpiqet të ushtrojë përgjegjësinë dhe kontrollin e saj institucional. Sipas tij, Kosova mund të vendosë vetë nëse do ta ndryshojë marrëdhënien me Dhomat, por bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë duhet të vazhdojë.
Për vijën e mbrojtjes, hapi tjetër është apeli. Prosper konfirmoi se synon të vazhdojë të jetë pjesë e ekipit mbrojtës të Thaçit në këtë procedurë, të cilën pret ta shohë të përfunduar brenda 12 muajsh, me objektiv rrëzimin e konstatimeve të gjykimit dhe pastrimin e emrit të klientit të tij. Dhomat e Specializuara dhe prokuroria nuk kanë dhënë përgjigje publike ndaj këtyre pretendimeve.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

