Me naftën mbi 210 lekë për litër dhe tarifat e pandryshuara, operatorët e transportit qytetas i kërkojnë qeverisë shqiptare vijimin e skemës së kompensimit prej 50 lekësh për litër, duke paralajmëruar ulje të numrit të mjeteve dhe të frekuencave.

Autobusët e transportit qytetas në Shqipëri rrezikojnë të rrallohen në linja. Operatorët e sektorit kanë ngritur sërish alarmin se nuk po arrijnë të përballojnë kostot e operimit, të goditura njëkohësisht nga shtrenjtimi i lartë i naftës dhe nga rënia e numrit të pasagjerëve.
Shqetësimi është përcjellë me shkresë institucionale. Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas ka dërguar letrën e dytë të muajit gusht 2026 drejtuar ministrive të Financave, të Ekonomisë, Infrastrukturës dhe Energjetikës, Pushtetit Vendor dhe Bashkisë së Tiranës, ku kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Sipas operatorëve, kompensimi i dhënë për periudhën mars-prill-maj është i pamjaftueshëm për të garantuar vazhdimësinë e shërbimit gjatë muajit gusht.
Llogaria është e thjeshtë për kompanitë: çmimi i naftës prej javësh ka arritur mbi 210 lekë për litër, ndërsa vendimi i miratuar më herët nga qeveria parashikon kompensim në masën 50 lekë për litër, vetëm për sasinë e karburantit të konsumuar gjatë muajve mars, prill dhe maj 2026. Operatorët kërkojnë që kjo mbështetje të shtrihet edhe për katër muaj të tjerë.
"Karburanti përbën një nga zërat kryesorë dhe më të rëndësishëm të kostos së aktivitetit të transportit publik. Për shkak të volumit të lartë të konsumit ditor të mjeteve, çdo rritje apo qëndrueshmëri e çmimit të naftës në nivele të larta reflektohet drejtpërdrejt në kostot e operimit të operatorëve", theksohet në letër.
Shoqata nënvizon se hapësira e manovrimit është e ngushtë, pasi çmimi i biletës nuk lëviz: "Në kushtet kur tarifat e transportit publik mbeten të pandryshuara dhe operatorët duhet të garantojnë vijimësinë e shërbimit sipas linjave, frekuencave dhe kapaciteteve të përcaktuara, përballimi i kësaj kostoje është bërë gjithnjë e më i vështirë."
Sipas shkresës, mbështetja e dhënë deri tani ka mbajtur sektorin në këmbë, por nuk e ka zgjidhur problemin: "Masat e kompensimit të ndërmarra deri më tani kanë qenë një mbështetje e domosdoshme për ruajtjen e ekuilibrit financiar dhe vijimësinë e shërbimit. Megjithatë, problematika që solli nevojën për këtë mbështetje nuk është tejkaluar."
Paralajmërimi është i drejtpërdrejtë: "Çmimi i karburantit vazhdon të mbetet në nivele të larta dhe të ushtrojë presion të konsiderueshëm mbi kostot operative të shoqërive. Nëse kjo situatë vijon edhe gjatë muajit gusht 2026 dhe muajve në vijim, pa u shoqëruar me një mekanizëm kompensimi financiar, operatorët do të përballen me vështirësi serioze për garantimin e shërbimit në nivelin aktual."
Shoqata rendit edhe pasojat e mundshme nëse kostot mbeten të pambuluara: vështirësi në garantimin e vazhdimësisë normale të shërbimit, reduktim të numrit të mjeteve të vendosura në qarkullim, ulje të frekuencës së mjeteve në linja dhe rritje të intervaleve të pritjes për qytetarët, vështirësi në përmbushjen e detyrimeve financiare dhe operative të shoqërive, shtyrje të investimeve dhe të ndërhyrjeve për mirëmbajtjen e flotës, si dhe rrezik për përkeqësimin e cilësisë dhe standardeve të shërbimit.
Kërkesa konkrete drejtuar institucioneve është shqyrtimi me prioritet i vijimit të skemës së kompensimit për karburantin edhe për muajin shtator 2026, si dhe për muajt në vijim, për aq kohë sa çmimi i karburantit dhe kushtet ekonomike mbeten në nivele të larta.
"Vlerësojmë se vijimi i kompensimit është një masë e domosdoshme për të ruajtur kapacitetet aktuale të transportit publik, për të shmangur reduktimin e mjeteve dhe të frekuencave, si dhe për të garantuar që barra e kostove të jashtëzakonshme të karburantit të mos ndikojë negativisht në cilësinë dhe vazhdimësinë e shërbimit ndaj qytetarëve", shkruan shoqata.
Ajo u kërkon ministrive dhe Bashkisë së Tiranës një vendim të ri: "Kërkojmë angazhimin dhe ndërhyrjen tuaj institucionale për miratimin e vijimit të kompensimit financiar për muajin qershor-korrik-gusht 2026 dhe për periudhën pasuese, deri në normalizimin e çmimit të karburantit dhe të kushteve ekonomike të ushtrimit të aktivitetit."
Operatorët shprehen të gatshëm t'i hapin librat institucioneve: "Shoqata dhe operatorët që ajo përfaqëson mbeten të gatshëm për të vënë në dispozicion të institucioneve përgjegjëse çdo të dhënë ekonomike, financiare apo operative të nevojshme për të evidentuar ndikimin real që çmimi aktual i karburantit ka mbi funksionimin e shërbimit të transportit publik."
Nuk është ankesa e parë e këtij muaji. Edhe në letrën e dërguar më 12 gusht 2026, operatorët ngritën të njëjtin shqetësim për mospërballimin e kostove nga nafta dhe kërkuan zgjatjen e kohëzgjatjes së kompensimit.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

