Një traget që lidhte qytetin bregliqenor Kariba me ishujt dhe kampet e peshkimit u përmbys nga dallgët e forta në liqenin Kariba të Zimbabves, duke lënë të paktën 15 të vdekur dhe dhjetëra të zhdukur.

Të paktën 15 persona kanë humbur jetën dhe 27 të tjerë mbeten të zhdukur pasi një traget i mbingarkuar u përmbys në liqenin Kariba të Zimbabves, sipas Njësisë së Mbrojtjes Civile të vendit. Të paktën 77 persona janë shpëtuar.
Sipas agjencisë, anija u përmbys të martën pasi u përplas me dallgë të forta. Trageti bënte transportin mes qytetit verior Kariba dhe disa ishujve e kampeve të peshkimit, dhe mbante mbi kapacitetin e tij prej 90 personash në momentin e fatkeqësisë.
Numri i saktë i pasagjerëve dhe i ekuipazhit ende nuk është shpallur. Njësia e Mbrojtjes Civile tha se, përmes shitjes së regjistruar të biletave, mund të konfirmonte praninë e 114 pasagjerëve të rritur në bord, së bashku me pesë anëtarë të ekuipazhit. Sipas saj, mund të ketë pasur edhe një numër të panjohur fëmijësh nën moshën e biletimit që nuk janë të llogaritur.
Shërbimi policor kombëtar i Zimbabves bëri të ditur se përpjekjet për shpëtim ishin në vazhdim. Transmetuesi publik ZBC publikoi pamje me barka të shpejta që i afroheshin asaj që dukej si një anije e përmbysur, ndërsa një helikopter fluturonte sipër. Sipas ZBC-së, në liqen u dërgua edhe një ekip nënujor për operacionet e kërkim-shpëtimit.
Dëshmitari Maxton Kanhema i tha agjencisë AFP se anija ishte nisur në kohë të keqe dhe se një dallgë mund ta ketë goditur barkën, duke shkaktuar fikjen e motorëve. "Kur ishim në ujë, mund të shihje një shenjë ankthi dhe pastaj barkat që ishin afër iu përgjigjën", tha ai.
Kanhema përshkroi një pamje rrënqethëse: "Njerëzit ishin në ankth… Kishte trupa në ujë dhe ishte një situatë e trishtë për t'u parë. Ata që mund të shpëtoheshin, u shpëtuan." Sipas tij, koha e keqe i vonoi ndërhyrjet: "Megjithatë, për shkak të motit të keq, reagimet ishin pak me vonesë. Arritja te barka mori kohë dhe fatkeqësisht u humbën jetë."
Në operacionin e shpëtimit ndihmoi Parku Kombëtar Matusadona, i cili vuri në dispozicion një helikopter, si dhe barka më të mëdha, zhytës nga zona dhe ushtria.
Liqeni Kariba shtrihet në kufirin e Zimbabves me Zambian, mbi 300 kilometra në verilindje të kryeqytetit Harare. Ai është liqeni artificial më i madh në botë për nga vëllimi dhe u krijua në fund të viteve 1950 e në fillim të viteve 1960 përmes ndërtimit të një muri dige që bllokoi lumin Zambezi. Sot ai shtrihet në më shumë se 200 kilometra gjatësi dhe deri në 40 kilometra gjerësi në disa vende.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

