Një helikopter i marrë me qira u rrëzua e mori flakë pak para uljes në ishullin grek të Sifnosit, duke vrarë një çift të porsamartuar nga Londra dhe pilotin. Hetimi po përqendrohet te një dyshim për defekt mekanik.

Ata kishin zgjedhur ishullin e vogël grek të Sifnosit për të kaluar muajin e mjaltit. Në vend të kësaj, udhëtimi i çiftit të porsamartuar britanik përfundoi në një zjarr, pak metra nga vendi ku helikopteri duhej të ulej.
Marie Ebert, 30 vjeçe, dhe Alexander Cromie, 31 vjeç — të dy me banim në Londër — humbën jetën të hënën në mbrëmje së bashku me pilotin, kur helikopteri me të cilin udhëtonin ra në tokë dhe shpërtheu me përplasjen. "Mund të konfirmojmë se dy pasagjerët, Marie Ebert dhe Alexander Cromie, vdiqën në incidentin e së hënës në mbrëmje", tha një zyrtar policie.
Sipas policisë greke, shkaku i rrëzimit mund të ketë qenë një defekt mekanik. Të martën, autoritetet po përqendroheshin te "zhurma e çuditshme" që raportohet se lëshoi mjeti fluturues — një Bell 206 i marrë me qira privatisht — pak para se të binte në tokë. Zëvendëskryetari i bashkisë së Sifnosit, Manolis Fountolakis, i tha televizionit grek se banorët e zonës kanë dëshmuar për të njëjtën gjë: "Njerëzit në zonë kanë dëshmuar se dëgjuan helikopterin duke bërë një zhurmë, një zhurmë të çuditshme, ndoshta një defekt mekanik në ajër, sepse helika po bënte diçka të çuditshme."
Piloti u identifikua nga zyrtarët në Siros, qendra administrative e Egjeut, si Giorgos Raikos, 53 vjeç, ish-oficer i forcave ajrore, i cilësuar si "jashtëzakonisht i përvojshëm".
Fokusi i hetimit tashmë është te vetë mjeti. "Fokusi i hetimit tani është te helikopteri dhe mundësia e një defekti të motorit. Ajo që ka ndodhur është asgjë më pak se një tragjedi", tha një burim me njohuri të drejtpërdrejtë. Po studiohen edhe pamjet e kamerave të sigurisë, që tregojnë mjetin duke humbur kontrollin ndërsa i afrohej helioportit të ishullit pranë fshatit Eksambela.
Sa afër ishte katastrofa nga zona e banuar e dëshmon një banor vendas, Antonis Zambelis, i cituar nga transmetuesi publik grek ERT: "Helikopteri u rrëzua rreth 50 metra larg shtëpive me njerëz brenda dhe rreth 50 metra nga vendi i uljes, pranë manastirit Panagia tis Vrisis." Pas përplasjes, helikopteri u përfshi nga flakët dhe një tym i dendur mbuloi vendngjarjen. Punonjësit e shpëtimit që nxituan për të shuar zjarrin gjetën më pas mbetjet e të tre viktimave.
Kompania e menaxhimit të aktiveve Blackstone, ku Cromie punonte si nënkryetar në zgjidhjet e pasurisë private, konfirmoi humbjen e punonjësit të saj. "Jemi të tronditur nga humbja tragjike e tre personave, përfshirë kolegun tonë Alex Cromie dhe gruan e tij, Marie Ebert, të cilët po festonin muajin e mjaltit", thuhet në deklaratën e kompanisë. "Alex ishte i dashur nga të gjithë ata që e njihnin dhe punonin me të në Blackstone, dhe mendimet e lutjet tona janë me të dashurit e tij." Sipas profilit të tij në LinkedIn, Cromie kishte punuar në Blackstone për katër vjet, fillimisht si bashkëpunëtor dhe që nga janari i kaluar në pozicionin e nënkryetarit.
Edhe kompania e konsulencës Bain & Company, ku Ebert ishte specialiste e lartë, u shpreh e tronditur: "Jemi të tronditur të lexojmë raportimet për një aksident tragjik në Greqi lidhur me një prej kolegeve tona dhe burrin e saj. Mendimet dhe mbështetja jonë janë me familjet e prekura në këtë kohë shumë të vështirë."
Ministria greke e infrastrukturës dhe transportit po koordinonte hetimin të martën, ndërsa zyrtarë të lartë të zbatimit të ligjit mbërritën në Sifnos. Kryetarja e bashkisë së ishullit, Maria Nadali, tha: "Jemi të tronditur dhe po përpiqemi të menaxhojmë, së bashku me shërbimet e duhura, pasojat e këtij incidenti pranë helioportit."
Marrja me qira e helikopterëve privatë është bërë gjithnjë e më e popullarizuar në Greqi, ku turistët i përdorin gjithnjë e më shpesh për të lëvizur mes ishujve. Sifnosi, dikur i konsideruar i largët, ndodhet rreth 195 kilometra në juglindje të Athinës dhe kërkon disa orë për t'u arritur me traget.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

