Ligji parasheh deri në 15 vjet burg për trafikimin e fëmijëve, por njëri nga trafikantët e dënuar në Kosovë mori vetëm një vit burgim me kusht. Raporti i ri i Departamentit amerikan të Shtetit zbulon hendekun mes Kodit Penal dhe sallave të gjyqit.

Kodi Penal i Kosovës parashikon nga pesë deri në 12 vjet burgim për trafikimin e të rriturve dhe deri në 15 vjet për trafikimin e fëmijëve. Në praktikë, njëri nga trafikantët e dënuar për shfrytëzim seksual doli nga gjykata me një vit burgim me kusht. Ky kontrast është në qendër të vlerësimit që Departamenti amerikan i Shtetit i bën Kosovës në raportin e tij për trafikimin me qenie njerëzore për vitin 2026.
Sipas raportit, drejtësia kosovare po shqipton më shumë dënime me burgim për trafikantët sesa në të kaluarën, por këto dënime mbeten kryesisht nën minimumin e paraparë me ligj. Washingtoni paralajmëron se një praktikë e tillë e dobëson përgjegjësinë penale të autorëve dhe e rrezikon sigurinë e viktimave.
Shifrat zyrtare të cituara në raport tregojnë rënie të ndjekjeve penale: 34 persona të dyshuar u ndoqën penalisht, nga 49 sa ishin një vit më parë. Policia punoi në katër raste të reja dhe vazhdoi hetimet për rastet e mëparshme. Gjykatat dënuan tre persona për trafikim me njerëz për qëllime të shfrytëzimit seksual: njëri mori tre vjet burgim, tjetri pesë vjet e gjysmë burgim dhe gjobë, ndërsa i treti një vit burgim me kusht.
Edhe më e zbehtë është pamja për ata që përfitojnë nga viktimat. Shtatëmbëdhjetë persona u ndoqën penalisht për shfrytëzimin e shërbimeve seksuale të viktimave të trafikimit, por në asnjë prej këtyre rasteve nuk u shqiptua dënim.
Raporti vëren mangësi edhe në punën e policisë në terren. Policia e Kosovës vepron përmes tetë njësive rajonale me gjithsej 45 zyrtarë. Rastet e fëmijëve që detyrohen nga prindërit të lypin rrugëve vazhdojnë të trajtohen si neglizhencë ose keqtrajtim dhe jo si trafikim, dhe autoritetet nuk i kanë hetuar si trafikim të gjitha këto raste. Vëzhguesit theksojnë se shumica e prokurorëve dhe gjyqtarëve nuk kanë trajnim dhe përvojë të mjaftueshme, sidomos në rastet ku viktima mbahet nën kontroll emocional ose detyrim psikologjik.
Gjatë vitit të kaluar, autoritetet identifikuan 13 viktima, të gjitha shtetas të Kosovës të ekspozuar ndaj shfrytëzimit seksual: dy gra dhe 11 vajza. Gjatë vitit 2025, ndihmë morën 18 persona. Megjithatë, për shkak të procedurave të papërshtatshme të identifikimit, autoritetet nuk arritën t'i mbrojnë në mënyrë efikase viktimat e mundshme nga ndëshkimi për veprime të kryera si pasojë e trafikimit. Raporti thekson gjithashtu se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë përpjekje të mjaftueshme për riintegrimin e viktimave dhe ndihmën afatgjatë.
Vlerësimi nuk është vetëm kritik. Autoritetet kanë rritur buxhetin për parandalimin e trafikimit dhe për ndihmën ndaj viktimave, ndërsa një analizë zyrtare tregon se është përmbushur një pjesë e madhe e synimeve të planit kombëtar të veprimit. Mbështetja financiare për organin e posaçëm kombëtar u rrit në 15.000 euro, nga 3.550 euro një vit më parë, me fonde të ndara për fushata ndërgjegjësuese dhe për linjën SOS.
Organizatat joqeveritare vlerësojnë se mekanizmi për referimin e viktimave funksionon mirë. Qeveria ofron strehim, trajtim mjekësor, këshillim dhe ndihmë juridike në bashkëpunim me shoqërinë civile, ndërsa shteti siguron mbrojtje juridike për viktimat e huaja dhe mbështetje për viktimat dëshmitare, përfshirë dhoma të posaçme për intervistimin e fëmijëve dhe mundësinë e dëshmisë në distancë. Një boshllëk mbetet në tregun e punës: inspektorët e punës nuk janë trajnuar për të identifikuar rastet e trafikimit.
Kosova nuk është e vetmja nën lupë. Për Ballkanin Perëndimor në tërësi, raporti konstaton disa përparime, por edhe mungesë mekanizmash efikasë dhe mospërmbushje të kritereve ndërkombëtare për çrrënjosjen e kësaj veprimtarie kriminale. Në Shqipëri, policia dhe prokuroria nuk kanë përvojë dhe kapacitete të mjaftueshme e të specializuara për hetimin dhe ndjekjen penale të trafikimit. Serbia dhe Mali i Zi nuk i përmbushin plotësisht standardet minimale, ndërsa Bosnja e Hercegovina vazhdon të ketë mungesë mekanizmash efikasë për ta trajtuar këtë dukuri.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

