Pemët brenda perimetrit mbrojtës të Kryeministrisë kanë marrë flakë, ndërsa përplasjet mes protestuesve dhe policisë vijojnë pa pushim në bulevardin kryesor të Tiranës. Studentët, në rrugë që prej orës 09:00, nuk janë larguar as nën gazin lotsjellës.

Flakët kanë kapërcyer gardhin e Kryeministrisë. Pemët që ndodhen brenda perimetrit mbrojtës të godinës së ekzekutivit në Tiranë kanë marrë zjarr, ndërsa tymi po përhapet me shpejtësi mbi bulevardin kryesor, aty ku përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë vazhdojnë me intensitet të lartë.
Pritet që mjetet zjarrfikëse të ndërhyjnë për shuarjen e flakëve, ndërkohë që shkaku i zjarrit nuk është bërë ende i ditur. Protestuesit nuk e kanë lëshuar vendin përballë efektivëve të policisë dhe atmosfera para Kryeministrisë mbetet shumë e tensionuar.
Studentët janë në rrugë që prej orës 09:00. Gjatë ditës, policia ka përdorur masivisht gaz lotsjellës dhe bombola shpërthyese në përpjekje për të shpërndarë turmën, por pa arritur ta largojë atë nga rrugët e kryeqytetit. Studentët kanë qëndruar të organizuar dhe të bashkuar, ndërsa mes turmës valëvitet flamuri kuq e zi.
Nën presionin e forcave të rendit, protesta u nda në disa pika. Një pjesë e protestuesve u drejtua te "Piramida", të tjerë mbetën te Kryeministria, ndërsa një grup tjetër shkoi te Kryesia e Kuvendit.
Revolta ka marrë përmasa të dukshme. Të rinjtë u kanë vënë flakën koshave të plehrave, ndërsa disa protestues kanë hyrë në disa institucione, prej nga kanë nxjerrë tavolina e karrige dhe u kanë vënë zjarrin. Turma ka vijuar me thirrje për "dorëheqje".
Policia ka nisur sërish shoqërimet e protestuesve, por numri i të shoqëruarve dhe i të lënduarve nuk është bërë publik.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

