Përndiqte dhe kanoste një shtetas nëpërmjet profileve të rreme në rrjetet sociale, duke i kërkuar para. Policia e kapi në flagrancë pikërisht në çastin kur po merrte shumën e kërkuar.

Një 24-vjeçar u vu në pranga në Tiranë pikërisht në momentin kur po merrte paratë që, sipas policisë, i kishte shkulur viktimës me kërcënime të përsëritura në rrjetet sociale. Arrestimi në flagrancë erdhi si finalizim i operacionit të koduar "Accountet", të organizuar nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë.
Sipas Policisë së Shtetit, hetimi nisi pasi u mor njoftimi se një shtetas po përndiqej dhe kanosej vazhdimisht nëpërmjet platformave virtuale nga një person që i kërkonte një shumë parash. I dyshuari, i identifikuar me inicialet K. G., 24 vjeç, banues në Tiranë, u kap në çastin e marrjes së shumës monetare.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ai përdorte profile të falsifikuara në platformat virtuale për të përndjekur dhe kanosur shtetasin D. P., duke e shtrënguar që t'i jepte para. Si provë materiale, policia sekuestroi një shumë parash dhe dy aparate celularë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për katër vepra penale: "Përndjekja", "Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë", "Falsifikimi kompjuterik" dhe "Keqpërdorimi i pajisjeve".
Policia bëri me dije se puna vijon për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë dhe për dokumentimin e plotë të rastit.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

