Një 28-vjeçar, i akuzuar për shitje droge pranë shkollave të kryeqytetit dhe i shpallur në kërkim, u arrestua në flagrancë në banesën e tij, ku policia gjeti kokainë të ndarë në doza, dy pistoleta dhe municion luftarak.

Ai ishte në kërkim për shitje droge pranë shkollave të Tiranës. Kur policia hyri në banesën e tij në rrugën "Rreshit Petrela", gjeti 363 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, të ndarë në 235 doza, dy pistoleta dhe municion luftarak.
I dyshuari, O. F., 28 vjeç, banues në Tiranë, u arrestua në flagrancë, njoftoi Policia e Shtetit. Sipas policisë, ai i mbante armët pa leje, ndërsa droga dyshohet se ishte e përgatitur për shitje. Në banesë u gjet edhe një peshore elektronike. Të gjitha sendet u sekuestruan.
Arrestimi është pjesë e vijimit të operacionit policor të koduar "Shkolla të pastra", i cili u zhvillua tre ditë më parë. Gjykata e Tiranës i kishte caktuar 28-vjeçarit masën e sigurisë "Arrest në burg" për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", por deri tani ai nuk ishte kapur.
Policia bën të ditur se gjurmët e tij u ndoqën përmes një informacioni të siguruar gjatë punës operative, sipas të cilit i kërkuari dyshohej se mbante në shtëpi armë zjarri dhe lëndë narkotike. Ndërhyrjen e organizuan shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve.
Hetimet vijojnë për të zbardhur dhe dokumentuar përfshirjen e 28-vjeçarit në veprimtari kriminale. Njëkohësisht, sipas policisë, punohet për kapjen e të gjithë personave të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit "Shkolla të pastra". Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

