Nga protesta para ndërtesës së Qeverisë, Nasim Haradinaj kërkoi nga qytetarët të mos lëvizin drejt Graçanicës, duke paralajmëruar se situata e krijuar pas vendimit të Gjykatës Speciale mund të shfrytëzohet nga infiltrime dhe provokime.

Ndërsa protestuesit qëndronin para ndërtesës së Qeverisë, në reagim ndaj vendimit të Gjykatës Speciale, Nasim Haradinaj u kërkoi publikisht që protesta të mos zhvendosej drejt Graçanicës. Sipas tij, ekziston rreziku që situata e krijuar të shfrytëzohet nga persona të infiltruar, me qëllim që të krijohet përshtypja se shqiptarët po hakmerren ndaj pakicave.
"Ka me na infiltru njerëz të cilët do ta përdorin këtë situatë, kinse shqiptarët do të hakmerren nëpër pakica, prandaj mos shkoni në Graqanicë nëse e doni kombin tuaj, kemi raste të ndryshme ju kujtohet rasti Panda, mos bini pre e provokimeve", ka thënë Haradinaj.
Në një thirrje tjetër drejtuar protestuesve, ai u shpreh se ka dëgjuar për orientim të dikujt drejt Graçanicës nga shërbime të huaja dhe se shqiptarët nuk kanë problem me qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë: "Mos harroni që do të na infiltrojnë njerëz që do ta përdorin këtë situatë gjoja se shqiptarët tash do të hakmerren nëpër pakica kombëtare. Dëgjova që shërbimet e huaja t'i orientojnë dikë kah Graçanica. Ata që kanë mësy kah Graçanica e kanë shumë gabim. Le të kthehen këndej nëse e duan kombin e vet. Ne nuk kemi nevojë të shkojmë në Graçanicë. Ne nuk kemi asnjë problem me qytetarët serbë që e duan Kosovën".
Thirrja e tij vjen pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale, që i shpalli fajtorë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin për katër akuza për krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me 25 vjet burgim secili, Veseli me 18 vjet dhe Selimi me 13 vjet burgim.
Haradinaj edhe më herët i ishte drejtuar protestuesve me thirrje për qetësi pas vendimit dënues në Hagë. Protesta para Qeverisë ka mbetur një nga reagimet më të drejtpërdrejta ndaj aktgjykimit, ndërsa paralajmërimi për provokime të mundshme u përsërit gjatë tubimit.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

