Një grabitës i maskuar e mbajti thikën vetëm 40 deri në 50 centimetra larg kokës së një vajze në Villmergen të Zvicrës, derisa i ati hyri në lokal dhe ia hoqi armën nga dora. I dyshuari, një 36-vjeçar, u kap pak më vonë nga një polic që nuk ishte në detyrë.

Thika ishte vetëm 40 deri në 50 centimetra larg kokës së vajzës së tij kur një baba shqiptar vendosi të hynte në piceri. Të dielën në mbrëmje, në Villmergen të kantonit Aargau në Zvicër, ai arriti t'ia merrte armën nga dora një burri të maskuar që kishte hyrë në lokal për të grabitur paratë.
Babai ndodhej jashtë picerisë ku punon e bija, kur vuri re se çfarë po ndodhte brenda. Grabitësi kishte depërtuar deri në pjesën e prapme të lokalit, pothuajse deri te furra e picave, ndërsa vajza kishte nisur të bërtiste: "Një thikë, një thikë!".
"Kisha frikë se mos ma vriste vajzën", ka rrëfyer ai. Në një intervistë për një televizion lokal, ai e përshkroi kështu momentin kur vendosi të vepronte: "Hyra ngadalë brenda dhe ndërhyra për të kapur thikën që ai të mos e vriste vajzën time". Sipas tregimit të tij, e kapi grabitësin për kyçin, ia përdrodhi krahun pas shpine dhe pastaj ia hoqi thikën.
I çarmatosur, grabitësi doli nga lokali, ndërsa babai u vu pas tij. Autori iku me një skuter elektrik, por nuk shkoi larg: sipas Policisë Kantonale të Aargaut, një polic që nuk ishte në detyrë e ndaloi pak më vonë dhe e arrestoi. I dyshuari, një 36-vjeçar serb nga rajoni, është marrë në paraburgim.
Përleshja i la babait lëndime të lehta në të dyja duart. "Jemi të tronditur, ishte shumë e frikshme", tha ai. Vajza e tij e cilëson ndërhyrjen e të atit si vendimtare: "Për fat të mirë, babai im arriti ta zgjidhte situatën, sepse kur mbërriti policia, mund të kishte ndodhur tashmë një masakër".
Ngjarja ndodhi vetëm pak ditë pas një grabitjeje tjetër të armatosur në zonë, këtë herë në një furrë buke, ku gjithashtu u përdor një thikë. Në atë rast autori iku me para dhe nuk është kapur. Policia Kantonale e Aargaut po heton nëse dy grabitjet kanë lidhje me njëra-tjetrën, ndërsa autoritetet kanë bërë të ditur se kjo pyetje mbetet ende pjesë e hetimeve.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

