Në një rrugë të Kombinatit, dy grupe adoleshentësh po bëheshin gati të përplaseshin — disa me thika e maska. Policia ndërhyri para se gjaku të derdhej dhe procedoi 28 të mitur.

Një informacion në rrugë operative u shndërrua në garë me kohën për policinë në Tiranë: disa grupe të miturish po përgatiteshin të përballeshin me njëri-tjetrin në zonën e Kombinatit. Ndërhyrja e menjëhershme parandaloi një konflikt që rrezikonte të kthehej në përplasje me armë të ftohta.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme "Shqiponja", lokalizuan në rrugën "Llambi Bonata" disa të mitur të ndarë në grupe, të cilët, sipas policisë, dyshohej se do të konfliktoheshin mes tyre. Uniformat i shoqëruan menjëherë të gjithë në ambientet e komisariatit.
Gjatë kontrollit fizik, disa prej të miturve u gjetën me thika, kaçavida dhe maska. Pesë armë të ftohta e mjete të mprehta u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Veprimet procedurale u kryen në prani të prindërve dhe të psikologëve. Pas komunikimit me prokurorin, nisi procedimi në gjendje të lirë për 28 shtetas të mitur, të moshave 13 deri në 17 vjeç. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

