Dy javë pas dënimit me 25 vjet burgim për krime lufte, ish-presidenti Hashim Thaçi nuk lirohet as në çështjen e dytë që e mban në Hagë. Gjykatësi Christopher Gosnell vlerëson se rreziku që ai të pengojë procesin mbetet i gjallë.

Dy javë pas aktgjykimit që e dënoi me 25 vjet burgim për krime lufte, Hashim Thaçi nuk ka fituar asnjë lehtësim as në procesin e dytë që e mban në Hagë. Më 30 shtator 2026, gjykatësi i vetëm i rastit për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, Christopher Gosnell, vendosi që ish-presidentit t'i vazhdohet masa e paraburgimit.
Sipas Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjykatësi konstatoi se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqet që Thaçi mund të pengojë ecurinë e procesit ose të kryejë vepra të tjera penale. Në këto rrethana, paraburgimi u vlerësua ende i domosdoshëm dhe proporcional.
Në vendim u peshua edhe dënimi i fundit për krime lufte, por ai nuk e ndryshoi logjikën e rishikimit. "Gjykatësi mori parasysh gjithashtu edhe shpalljen fajtor dhe dënimin e Thaçit në çështjen gjyqësore KSC-BC-2020-06 kohët e fundit dhe konstatoi se ato nuk e ndryshonin nevojën për rishikime periodike të paraburgimit të tij në çështjen aktuale, që në parim vlerësohet në bazë të faktorëve në lidhje me këtë çështje", thekson Specialja.
Aktgjykimi në çështjen KSC-BC-2020-06 u shpall më 16 shtator 2026. Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet.
Procesi për pengimin e drejtësisë ndodhet tashmë në fazën e fundit. Më 14 shtator 2026, palët përfunduan paraqitjen e fjalëve përfundimtare, ndërsa data e shpalljes së aktgjykimit nuk është bërë ende e ditur. Në bankën e të akuzuarve, krahas Thaçit, ulen Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi. Të pestë u deklaruan të pafajshëm në seancën fillestare të 27 shkurtit 2026.
Sipas aktakuzës, Thaçi, individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me tre grupe, të quajtura Grupi Fazliu, Grupi Smakaj dhe Grupi Kilaj, ka ndjekur një model sjelljeje për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre. Prokuroria pretendon se ai i ka udhëhequr dhe ka marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave në objektet e paraburgimit, ku anëtarët e grupeve u koordinuan për të ndikuar te dëshmitarët e ZPS-së gjatë tri vizitave jo të privilegjuara.
Thaçi ngarkohet me tri akuza për pengim të personit zyrtar, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër për mosbindje ndaj gjykatës. Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë dhe për mosbindje ndaj gjykatës, ndërsa Kuçi përballet me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Asnjë prej tyre nuk është shpallur fajtor në këtë rast.
Gjykimi u zhvillua me një numër të kufizuar dëshmitarësh. I pari, një dëshmitar me masa mbrojtëse, nisi dëshminë në ditën e seancës fillestare dhe e përfundoi më 2 mars 2026. Më 3 dhe 4 mars dëshmoi Koen Herlaar, ekspert i kriminalistikës në Institutin e Kriminalistikës së Holandës, ndërsa po më 4 mars u ul para gjykatës hetuesi i forenzikës digjitale Chrisopher Kelly, i cili e mbylli dëshminë të nesërmen. Mbrojtja e Thaçit solli si dëshmitare eksperten e transkriptimit në fushën e kriminalistikës, Helen Fraser, e cila dëshmoi më 11 dhe 12 maj 2026.
Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Aktakuza për pengim të drejtësisë iu ngrit në vitin 2024. Atëherë, Smakaj, Fazliu dhe Kilaj u arrestuan në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara, në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga. Sipas njoftimit të DhSK-së, Thaçit fletarrestimi iu dorëzua aty ku ishte tashmë i paraburgosur, ndërsa Kuçit iu dorëzuan aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për paraqitjen e parë para gjykatëses së procedurës paraprake.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

