Një shofer nga Maqedonia e Veriut u deklaroi doganierëve se nuk bartte asgjë. Kontrolli i veturës së tij në Han të Elezit nxori në dritë euro dhe denarë të fshehur, me vlerë mbi 13 mijë euro.

Në Pikën e Kalimit Kufitar Hani i Elezit, drejtuesi i një veture me targa të Maqedonisë së Veriut u tha doganierëve se nuk kishte "asgjë për të deklaruar". Kontrolli që pasoi tregoi të kundërtën: në automjet ishin fshehur para me vlerë mbi 13 mijë euro.
Vetura, një "Shkoda Superb" e drejtuar nga një shtetas i Maqedonisë së Veriut, ishte përzgjedhur për kontroll nga zyrtarët e Sektorit Antikontrabandë të Doganës së Kosovës. Pas përgjigjes së shoferit, automjeti kaloi në kontrollin e detajuar.
"Gjatë kontrollit të detajuar në vijën e dytë, zyrtarët e Sektorit Antikontrabandë kanë zbuluar 11.980 euro dhe 84.500 denarë maqedonas, të cilat ishin të fshehura dhe nuk ishin deklaruar në përputhje me legjislacionin në fuqi", thuhet në njoftimin e Doganës.
Institucioni e ka llogaritur edhe shumën totale: "Vlera e përgjithshme e mjeteve monetare të padeklaruara, pas konvertimit në euro, është 13.353,98 euro. Mjetet monetare janë konfiskuar". Dogana nuk ka bërë të ditur nëse ndaj drejtuesit të automjetit janë ndërmarrë hapa të tjerë.
Pragu ligjor është i qartë. Sipas nenit 33, paragrafi 1, i Ligjit Nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, kushdo që hyn ose del nga Kosova me 10.000 euro ose më shumë, apo me kundërvlerën në valuta të tjera, e ka për detyrë t'i deklarojë ato pranë Doganës së Kosovës. Këtë rregull Dogana e rikujtoi edhe një herë në njoftimin për rastin.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

