Sistemi elektronik i termineve shëndetësore ka punuar mbi dy vjet gjithsej pa asnjë kontratë mirëmbajtjeje, ndërsa emri i tij mbrohet ligjërisht nga një kompani private dhe jo nga shteti. Raporti përfundimtar i auditimit shtetëror zbulon edhe mangësi në kontrollin e qasjes dhe në mbrojtjen e të dhënave sensitive.

Për 738 ditë, pra më shumë se një e treta e periudhës nga janari 2021 deri në fund të prillit 2026, sistemi elektronik shëndetësor “Termini Im” në Maqedoninë e Veriut ka funksionuar pa kontratë mirëmbajtjeje. Kjo është gjetja kryesore e raportit përfundimtar të Zyrës Shtetërore të Auditimit, që ka shqyrtuar sistemin me temën “Termini Im, optimizimi i proceseve shëndetësore dhe përmirësimi i cilësisë së kujdesit shëndetësor”.
"Nga 1 janari 2021 deri më 30 prill të këtij viti, sistemi “Termini Im” nuk ka qenë i mbuluar me kontrata mirëmbajtjeje për gjithsej 738 ditë, që përfaqëson 37,9 përqind të periudhës së analizuar. Kontratat e mirëmbajtjes janë lidhur në bazë vjetore, pa siguruar vazhdimësi", thuhet në raport.
Mungesa e vazhdimësisë nuk do të thotë mungesë parash. Gjatë së njëjtës periudhë, për mirëmbajtjen e “Termini Im” dhe të sistemeve të lidhura në institucionet e shëndetit publik janë shpenzuar 333,3 milionë denarë, rreth 5,42 milionë euro. Megjithatë, sipas auditorëve, vetëm 9 përqind e këtyre fondeve kanë shkuar për sistemin kombëtar të informacionit shëndetësor, ndërsa 91 përqind për sisteme të tjera të shëndetit publik. Në këtë llogari nuk përfshihen kostot e softuerëve që përdorin mjekët e kujdesit parësor dhe institucionet private shëndetësore.
Raporti ngre flamur të kuq edhe për tregun: 48 përqind e investimeve totale në institucionet e shëndetit publik që përdorin sisteme të tjera informacioni janë përqendruar te vetëm tre kompani softuerësh. Auditorët e cilësojnë këtë si rrezik të shtuar përqendrimi dhe shenjë të konkurrencës së kufizuar.
Institucioni që duhet ta drejtojë sistemin punon me pak njerëz. Në Drejtorinë për Shëndetësi Elektronike janë plotësuar vetëm 29 përqind e vendeve të punës të planifikuara, pa u bërë ndonjëherë një analizë funksionale e nevojave për personel. Një pjesë e boshllëkut mbulohet me kontrata pune që lidhen nga viti në vit. Për më tepër, edhe pse është përgjegjëse për zhvillimin dhe përmirësimin e sistemit të integruar të informacionit shëndetësor, kjo strukturë nuk ka autoritet për të zhvilluar prokurime publike për “Termini Im”.
Një nga gjetjet më të pazakonta lidhet me vetë emrin e sistemit. Sipas raportit, termi “Termini Im” nuk është i regjistruar dhe i mbrojtur ligjërisht nga institucionet kompetente, por nga një operator ekonomik privat, i njëjti me të cilin Ministria e Shëndetësisë lidh kontratat e mirëmbajtjes. Kështu, ministria nuk është mbajtëse e të drejtës së autorit mbi emrin, ndërsa auditorët paralajmërojnë rrezikun e mosmarrëveshjeve për pronën intelektuale.
Në anën e sigurisë, revizorët kanë konstatuar mangësi në kontrollin e qasjes, në monitorimin e aktiviteteve dhe në mbrojtjen e të dhënave sensitive të pacientëve. Autoriteti i Shëndetit Elektronik dhe Ministria e Shëndetësisë, sipas auditimit, nuk kanë vendosur standarde për certifikimin dhe miratimin e zgjidhjeve softuerike, as mekanizma për validimin dhe kontrollin e të dhënave që futen në sistem.
Pasojat mund t’i ndiejnë drejtpërdrejt pacientët. Gjatë një vizite në terren, auditorët gjetën se në disa institucione të shëndetit publik mungonin listat e ekzaminimeve të planifikuara. Raporti paralajmëron se ekziston rreziku që persona pa termin, përmes referimeve prioritare pa termin dhe referimeve emergjente, të shërbehen para pacientëve që kanë termine të caktuara siç duhet.
Disa sisteme të parashikuara as nuk ekzistojnë. Nuk janë krijuar sistemi qendror për regjistrimin elektronik të orarit të punës dhe sistemi kombëtar për operacionet materialo-financiare dhe kontabël në institucionet publike shëndetësore. Regjistri i pajisjeve mjekësore, për shkak të të dhënave të paplota, nuk lejon që pajisjet të përdoren me kapacitet të plotë. Auditimi e lidh mungesën e sistemeve kombëtare funksionale me mungesën e punonjësve.
Dobësi janë evidentuar edhe në mbikëqyrje. Në vitin 2023 u kryen vetëm 24 nga 62 kontrollet e planifikuara në institucionet shëndetësore, ndërsa për vitet 2024-2026 nuk ishin miratuar fare plane vjetore kontrolli.
Auditimi rekomandon mirëmbajtje të pandërprerë të sistemit, forcimin e sigurisë dhe të mbrojtjes së të dhënave personale, si dhe kontrolle më efektive në institucionet shëndetësore.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

