Një tërmet i fuqishëm ka lënë të paktën 68 të vdekur në lindje të Indonezisë. Mijëra banorë strehohen në çadra, të frikësuar të kthehen në shtëpi, ndërsa lëkundjet dhe rrëshqitjet e dheut po pengojnë ndihmën.

Ekipet e shpëtimit po kërkojnë mes ndërtesave të shembura për persona që besohet të jenë nën gërmadha, ndërsa banorët e fshatrave të goditura në lindje të Indonezisë presin ndihmën. Tërmeti i fuqishëm që tronditi zonën ka vrarë të paktën 68 njerëz.
Bilanci u rishikua nga 54 në 68 të vdekur natën e së hënës, sipas Berton SP Panjaitan, zyrtar i Agjencisë Kombëtare për Menaxhimin e Fatkeqësive të Indonezisë (BNPB). Ai bëri të ditur se mbi 200 persona janë plagosur.
Mijëra banorë u evakuuan pas asaj që përshkruhet si fatkeqësia më vdekjeprurëse në vend që nga tërmeti i vitit 2022, i cili vrau qindra njerëz në Java Perëndimore. Shumë prej të prekurve po strehohen jashtë, në çadra, dhe kanë frikë të kthehen në shtëpi për shkak të rrezikut nga lëkundjet pasuese.
Tragjedia ka rënduar edhe atmosferën e festimeve të Ditës së Pavarësisë së Indonezisë. Banorët e provincës East Nusa Tenggara janë tronditur nga afro 1.600 lëkundje pasuese deri të hënën, sipas Panjaitan. Agjencia gjeofizike e vendit raportoi një tërmet me magnitudë 5.6 në rajon të hënën në mëngjes.
Tërmeti shkaktoi gjithashtu rrëshqitje dheu dhe bllokoi rrugë në të gjithë provincën më jugore të Indonezisë, përfshirë rrethet Sikka dhe Manggarai. Pikërisht lëkundjet pasuese dhe rrëshqitjet e dheut po e pengojnë shpërndarjen e ndihmës.
Autoritetet kanë përgatitur avionë për të dërguar ndihma, mes tyre ushqime dhe çadra, tha Panjaitan. Sipas BNPB, rreth 500 shtëpi janë dëmtuar.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

