Ndërsa numri i viktimave arrin në 265 dhe rreth 500 persona mbeten të zhdukur, ekipet e shpëtimit në Kolumbi po garojnë me kohën pranë kufirit kritik të 72 orëve. Në Pereira, familjarët presin me zemër në grykë një shitës rruge të bllokuar nën rrënoja që mund të jetë ende gjallë.

Tri ditë pas tërmetit shkatërrimtar që goditi Kolumbinë të hënën, kërkimet për të mbijetuar hynë në atë që autoritetet e quajtën "faza e fundit", ndërsa numri i të vdekurve u ngjit në 265 dhe mbi 3.500 persona të tjerë mbetën të plagosur.
Lëkundja me magnitudë 7,4 ishte tërmeti më i fuqishëm që ka goditur vendin në këtë shekull. Rreth 500 persona vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur, sipas autoriteteve lokale, dhe më shumë se 9.550 shtëpi janë shkatërruar.
Të mërkurën, skuadrat e shpëtimit po i afroheshin me shpejtësi kufirit të 72 orëve nga momenti i tërmetit — periudha gjatë së cilës të mbijetuarit konsiderohen se kanë gjasat më të mëdha të gjenden ende gjallë nën ndërtesat e rrëzuara.
Dy nga qytetet më të goditura ishin Pereira, në zemër të rajonit të kafesë në Kolumbi, dhe Cali, qyteti i tretë më i madh i vendit, që raportuan përkatësisht 83 dhe 74 të vdekur.
"Po hyjmë në fazën e fundit", tha të mërkurën kryetari i bashkisë së Calit, Alejandro Eder. "Kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë të mbijetuar më pas, por është më e vështirë."
Presidenti Abelardo de La Espriella, i cili u betua në detyrë vetëm tri ditë para se të godiste tërmeti, premtoi ngritjen e një fondi emergjence për të rindërtuar spitalet, shkollat, shtëpitë dhe infrastrukturën e shembur. "Kjo është pa dyshim një tragjedi me përmasa të jashtëzakonshme", u shpreh ai. "Përpjekjet tona janë përqendruar te ata që mbeten të zhdukur." De La Espriella shpalli gjithashtu gjendje emergjente ekonomike për të përballuar dëmet e shkaktuara nga tërmeti, pa specifikuar se çfarë masash do të përfshinte kjo.
Në Pereira, ekipet u përqendruan te një furrë buke e shembur, ku besohet se një shitës rruge i bllokuar që të hënën mund të jetë ende gjallë nën rrënoja. Me pajisje që zbulojnë dridhjet, shpëtimtarët thanë se kishin kapur shenja të mundshme jete nga Pablo Loaiza, çka i mblodhi familjarët e ankthshëm jashtë rrënojave.
"Na thonë se mund të jetë ai", i tha agjencisë AFP mbesa 16-vjeçare e tij, Sara Loaiza. "Zemra sikur do të më dalë nga kraharori." Familjarët thanë se i bllokuari dukej se u përgjigj kur shpëtimtarët i kërkuan të trokiste dy herë, e më pas tri herë nga poshtë rrënojave.
Shumë kolumbianë janë mobilizuar për të ndihmuar, duke sjellë ujë, ushqim e furnizime në lagjet e prekura, ndërsa jashtë qendrave të dhurimit të gjakut u formuan radhë të gjata.
Në Cali, ekipet e emergjencës u përgatitën të punonin edhe një natë të tretë me duar të zhveshura, vinça dhe qen gjurmues — duke u ndalur jo për të pushuar, por për të dëgjuar shenja jete. "Çdo gjysmë ore i bëjmë të gjithë të heshtin për të parë nëse gjejmë njerëz gjallë", i tha AFP-së shpëtimtarja vullnetare Johana Sanchez. "Deri tani, tre persona janë nxjerrë gjallë dhe tre të vdekur."
Në kompleksin Torres del Limonar, në jug të Calit, banorët formuan zinxhirë të gjatë me kova, ku ushtarë, punonjës të bashkisë e të tjerë kalonin dorë më dorë copat e rrënojave nga maja e gërmadhës. Camilo Cano, zyrtar i zjarrfikësve nga Bogota, i tha agjencisë Reuters se përpjekjet e shpëtimit u bënë më të organizuara pasi policia filloi të kufizonte numrin e vullnetarëve në terren, gjë që uli zhurmën dhe dridhjet dhe u lejoi sensorëve të zbulonin më mirë lëvizjet nën gërmadha.
Presidenti de La Espriella, i cili fitoi me një diferencë të ngushtë ndaj kandidatit të qeverisë së mëparshme të majtë, me një platformë të përqendruar te shpenzimet më të ulëta publike dhe siguria më e fortë, udhëtoi në rajonet e prekura në fillim të kësaj jave.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

