Asnjë minator nuk ka mbetur më nën tokë në Stantërg. Drejtori i Trepçës, Shyqyri Sadiku, thotë se të 63 punëtorët e bllokuar nga defekti elektrik kanë dalë dhe janë mirë me shëndet.

Të gjithë minatorët që kishin mbetur të bllokuar në horizontet e minierës së Trepçës në Stantërg kanë dalë në sipërfaqe, dhe asnjëri prej tyre nuk ka probleme shëndetësore.
Konfirmimin e dha drejtori i Trepçës, Shyqyri Sadiku: "Po, të gjithë minatorët e bllokuar kanë dalë dhe janë mirë me shëndet".
Dalja nuk ishte e lehtë për të gjithë. Sipas personave të afërt me minatorët, disa prej tyre hasën vështirësi gjatë ngjitjes në daljen emergjente, pasi jo të gjithë janë në moshë të re dhe të përshtatshme për një përpjekje të tillë fizike. Për këto vështirësi institucionet nuk kanë dhënë ende sqarime.
Të 63 minatorët kishin mbetur të ngujuar të mërkurën mbrëma, kur rreth orës 19:30 ra furnizimi me energji elektrike, si pasojë e djegies së linjave të tensionit të lartë dhe një defekti në trafostacionin e tunelit të parë. Pa rrymë, ata u detyruan të kërkonin rrugëdalje përmes daljeve alternative, nga ku nisën të dalin grupet e para, derisa edhe i fundit prej tyre arriti jashtë minierës.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

