Pa kamera dhe pa detaje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u prit nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në selinë turke në New York, ku të dy ndodhen për sesionin e 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Dyert u mbyllën para mediave. Në godinën e njohur si "Turkevi", Shtëpia Turke në New York, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, priti në një takim dypalësh kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Takimi u zhvillua ndërsa të dy liderët qëndrojnë në New York për punimet e sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku janë mbledhur krerë shtetesh e qeverish nga e gjithë bota.
Për zhvillimin e takimit njoftoi presidenca turke, e cila nuk dha detaje të tjera. Nuk u bë publike as agjenda e bisedimeve, as ndonjë deklaratë e palëve pas përfundimit të tij.
Në takim morën pjesë edhe ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, dhe ministri i Tregtisë, Ömer Bolat. Pjesë e delegacionit turk ishin gjithashtu shefi i Komunikimit të Presidencës, Burhanettin Duran, këshilltari kryesor i presidentit për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Akif Çağatay Kılıç, si dhe zëvendëskryetari i Këshillit për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Çağrı Erhan.
Përbërja e delegacionit, me ministrin e Jashtëm dhe atë të Tregtisë në të njëjtën tryezë, tregon një takim me peshë diplomatike dhe ekonomike, megjithëse asnjë nga dy palët nuk ka bërë publike temat konkrete.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

