Erëra deri në 194 kilometra në orë, rrëshqitje dheu dhe një grua e moshës 60-vjeçare që dyshohet se ka mbetur e varrosur nën dheun e rrëshqitur. Tajfuni i 25-të i vitit ka bllokuar Japoninë në mes të një feste pesëditore.

Një grua rreth të gjashtëdhjetave, banore e një shtëpie në qytetin Jokosuka, mund të jetë marrë nga masa e dheut dhe besohet se ka mbetur e varrosur për së gjalli. Ky është njoftimi më i rëndë që ka dalë deri tani nga përballja e Japonisë me tajfunin Dujuan, sipas Departamentit të Zjarrfikësve të qytetit Jokosuka.
Stuhia ka goditur një varg prefekturash japoneze dhe ka vënë nën urdhër evakuimi gati dy milionë njerëz. Dujuan ka pasur erëra të vazhdueshme prej 130 kilometrash në orë (80,8 milje në orë) dhe shtëllunga deri në 194 kilometra në orë. Erërat e forta kanë lënë pa energji elektrike mbi 50 mijë persona, ndërsa qindra fluturime janë anuluar dhe shërbimet hekurudhore janë pezulluar.
Agjencia Meteorologjike e Japonisë kishte paralajmëruar për një "kërcënim të menjëhershëm për jetën". Disa nga alarmet janë ulur ndërkohë, por paralajmërimi për rrezik ndaj jetës mbetet në fuqi në qytezën Oshima. Alarmet e nivelit tre për shira të dendur dhe ato të nivelit katër për rrëshqitje dheu janë ulur ose hequr në pjesën më të madhe të vendit, ndërsa niveli katër vijon të jetë në fuqi në lagjen Shinagava, në fshatin Toshima dhe në fshatin Nixhima. Autoritetet u kanë kërkuar qytetarëve të ndjekin me vëmendje informacionet meteorologjike.
Nga prefektura Çiba, Departamenti i Zjarrfikësve të qytetit Sodegaura bëri të ditur se një burrë rreth të pesëdhjetave u shpëtua pasi kishte mbetur i bllokuar teksa punonte për pastrimin e mbeturinave në një vend ku kishte rrëshqitur dheu. Sipas të njëjtit departament, punëtori ra në një gëmushë bambuje bashkë me disa makineri të rënda dhe më pas u dërgua në spital. Në prefekturën Kanagava, zjarrfikësit thanë se morën një telefonatë nga një burrë i cili raportoi se shtëpia e tij ishte shembur nga një rrëshqitje dheu.
Dujuan është tajfuni i 25-të i këtij viti për Japoninë dhe ka rënë pikërisht në mes të një feste pesëditore, duke detyruar anulimin e disa ngjarjeve. Koncertet e planifikuara për të hënën në festivalin muzikor Rock in Japan janë anuluar, ndërsa Tokio Game Show, panairi i lojërave elektronike, hoqi programin e së hënës.
Stuhia ka prekur edhe axhendën diplomatike. Kryeministrja japoneze, Sanae Takaiçi, raportohet se ka shtyrë udhëtimin e saj në Shtetet e Bashkuara këtë javë për të mbikëqyrur pasojat e tajfunit. Ajo duhej të ishte të martën në Nju Jork, ku do të takonte presidentin amerikan, Donald Trump, dhe do të mbante fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Dujuan është stuhia e fundit në një varg stuhish në Paqësor, të bëra më intensive nga i ashtuquajturi "super El Niño", i cili e ka ngrohur oqeanin dhe ka ushqyer formimin e stuhive. El Niño, dukuria natyrore që sjell ujëra më të ngrohta në pjesë të Paqësorit tropikal, është një faktor më vete këtë vit.
Disa kërkime sugjerojnë se Japonia është bërë më e ekspozuar ndaj stuhive shkatërruese. Megjithatë, nuk mendohet se ndryshimet klimatike po rrisin numrin e këtyre stuhive në nivel global dhe në disa rajone ato madje mund të bëhen më të rralla. Por, me rritjen e temperaturave, tajfunët që formohen priten të jenë mesatarisht më të fuqishëm: ujërat më të ngrohta oqeanike u japin stuhive më shumë energji dhe, rrjedhimisht, shpejtësi më të larta të erës, ndërsa një atmosferë më e ngrohtë mban më shumë lagështi, çka do të thotë reshje më të dendura.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

