PDK-ja thotë se e refuzoi një shkëmbim politik: mbështetje për kandidatin e Vetëvendosjes për president, në këmbim të votave për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Shefi i grupit parlamentar, Arian Tahiri, pohon se marrëveshje nuk pati.

Ligji për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhja e presidentit janë kthyer në pikë përplasjeje mes Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, deklaroi se dy partitë nuk arritën asnjë dakordim për këto dy çështje.
Në emisionin Debat Plus, Tahiri rrëfeu versionin e partisë së tij për atë që ndodhi. Sipas tij, kërkesa fillestare ishte që deputetët të mblidheshin në Kuvend dhe ndryshimet në ligj të votoheshin si në leximin e parë, ashtu edhe në të dytin. PDK-ja, tha ai, iu përgjigj kësaj kërkese deri në votimin e parë të projektligjit.
"Ka pas kërkesë. Nuk ka pas dakordim. Ka pas kërkesë me ardh në Kuvend, ka pas kërkesë me u votu edhe në leximin e parë edhe në të dytin. Dhe kërkesës tonë i janë përgjigjur deri te leximi i parë", deklaroi Tahiri.
Kthesa, sipas tij, erdhi pasi projektligji kaloi në lexim të parë. Atëherë, pohon Tahiri, pala tjetër kërkoi që PDK-ja të mbështeste kandidatin për president, në mënyrë që ligji të merrte mbështetje në vazhdim. "Masi ka ardh leximi i parë është votuar, ka qenë kërkesë e tyre që na me ua dhënë votën për president, ata me na e mbështet ligjin. Nuk e kemi pranuar këtë qasje", tha ai.
Qëndrimi i PDK-së, sipas shefit të grupit parlamentar, ishte i qartë që në fillim: ndryshimet në ligj të miratoheshin plotësisht në të dy leximet dhe vetëm pas kësaj të hapej diskutimi për presidentin. "Na kemi thënë ligji duhet të kalojë në dy leximet dhe pastaj të flasim për presidentin", theksoi Tahiri.
Lëvizja Vetëvendosje nuk është përgjigjur publikisht ndaj këtyre pretendimeve, ndërsa fati i leximit të dytë të ndryshimeve në ligj mbetet i paqartë.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

