Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, priti komandantin e NATO-s në Napoli dhe shefin e ri të KFOR-it, duke vënë në qendër sigurinë në vend dhe rrugën e Kosovës drejt NATO-s.

Anëtarësimi në NATO mbetet synim strategjik i Kosovës. Ky ishte mesazhi që ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, u përcolli dy prej komandantëve ushtarakë të Aleancës, të cilët i priti në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Të ftuarit ishin admirali George M. Wikoff, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, dhe gjeneralmajori Roberto Vergori, komandanti i ri i KFOR-it në Kosovë. Gjatë qëndrimit, Wikoff zhvilloi takim edhe me drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha.
Në një postim pas takimit, Sveçla shkroi se biseda u përqendrua te gjendja e sigurisë: "Diskutuam për situatën e sigurisë në vend, me theks të veçantë në progresin e arritur dhe bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet Policisë së Kosovës dhe KFOR-it në shërbim të paqes dhe stabilitetit në vend."
Ministri e lidhi këtë bashkëpunim me aspiratën euroatlantike të vendit: "Ritheksova përkushtimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në NATO, si synim strategjik dhe hap i rëndësishëm drejt kontributit aktiv në sigurinë kolektive euroatlantike."
Takimi shënoi edhe kalimin e drejtimit në KFOR. Sveçla vlerësoi punën me komandantin paraprak, gjeneralmajorin Özkan Ulutaş, dhe i premtoi vazhdimësi pasardhësit të tij: "Duke vlerësuar lart bashkëpunimin me komandantin paraprak të KFOR-it, gjeneralmajorin Özkan Ulutaş, rikonfirmuam gatishmërinë tonë për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit të ngushtë me KFOR-in, në funksion të ruajtjes së një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës."
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

