Të gjitha palët u ankuan, të gjitha i fituan revizionet: Gjykata Supreme ka prishur dy vendime të Gjykatës Komerciale dhe e ka kthyer në zero kontestin për një ndërtim të përbashkët banesor mes tri shoqërive tregtare dhe Ndërmarrjes Publike Banesore.

Kontesti për një ndërtim të përbashkët banesor, ku përballen tri shoqëri tregtare dhe Ndërmarrja Publike Banesore (NPB), nis nga e para. Gjykata Supreme e Kosovës ka prishur të dy aktgjykimet e dhëna deri tani nga Gjykata Komerciale dhe e ka kthyer çështjen në shkallë të parë për rigjykim.
Vendimi u mor nga Kolegji i Gjykatës Supreme në seancën e 13 tetorit 2026 dhe u bë publik më 16 tetor. Ai rrëzon aktgjykimin K.Dh.Sh.II.nr.584/26 të Dhomave të Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale, të datës 5 qershor 2026, si dhe aktgjykimin K.P.nr.6/2026 të Dhomave të Shkallës së Parë, të datës 17 mars 2026.
E veçanta e rastit është se revizionet u paraqitën nga të gjitha palët dhe Supremja i aprovoi të gjitha si të bazuara: ato të paditësve Made Group Construction SH.P.K., Arkos SH.P.K. dhe Madekos SH.P.K., atë të së paditurës Ndërmarrjes Publike Banesore SH.A., si dhe atë të Komunës së Prishtinës, e cila në procedurë ka statusin e palës ndërhyrëse.
Në qendër të mosmarrëveshjes është përmbushja e kontratës për ndërtimin e përbashkët banesor ose, alternativisht, kompensimi i dëmit material, duke përfshirë dëmin e zakonshëm dhe fitimin e humbur. Shuma e dëmit të kërkuar nuk është bërë publike.
Sipas Gjykatës Supreme, gjykatat e instancave më të ulëta kanë bërë shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe kanë zbatuar gabimisht të drejtën materiale, me pasojë që gjendja faktike nuk është vërtetuar në mënyrë të plotë dhe të drejtë.
Kolegji ka dhënë edhe arsyet dhe udhëzimet se si duhet të veprojë gjykata e shkallës së parë gjatë rigjykimit. Kështu, Dhomat e Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale do ta shqyrtojnë rishtazi kontestin, tashmë nën orientimin e instancës më të lartë gjyqësore në vend.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

