Katër gëzhoja, një karikator i mbushur dhe një veturë e aksidentuar: gjykata ka mbyllur në paraburgim njërin nga të dyshuarit për vrasje në tentativë në Vushtrri, ndërsa dy të tjerë nuk janë kapur ende.

Dy persona të dyshuar për sulmin e 30 shtatorit në Vushtrri ende nuk janë në duart e drejtësisë. I treti, i identifikuar me inicialet N.M., do të qëndrojë një muaj në paraburgim, i dyshuar për vrasje në tentativë.
Masën e ka konfirmuar zëdhënësja e gjykatës, e cila ka sqaruar edhe veprat penale për të cilat dyshohet i pandehuri: "Të pandehurit N.M. i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 (tridhjetë) ditësh, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale Vrasje në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin 28 dhe 31 të KPRK-së, dhe veprës penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, neni 366, paragrafi 1, të KPRK-së".
Paraburgimi zgjat nga 7 tetori deri më 7 nëntor 2026. Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, në një përgjigje me shkrim, ka bërë të ditur se dy të dyshuarit e tjerë të lidhur me rastin gjenden në arrati.
Sipas Policisë së Kosovës, viktima, një burrë, dyshohet se u sulmua nga disa persona të panjohur, të cilët e rrahën me mjete të forta. Pas sulmit, ai mori trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Në vendin e ngjarjes, policia gjeti një veturë të aksidentuar, katër gëzhoja dhe një karikator me pesë fishekë, si dhe një fishek tjetër brenda veturës.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

