Një çantë me rreth 20 kilogramë eksploziv ushtarak, e lidhur me litar në një shtyllë betoni, la pa ujë disa komuna dhe vuri në rrezik energjinë e vendit, sipas Prokurorisë Speciale. Sot tre të akuzuarit dalin sërish para gjykatës në Prishtinë.

Rreth 20 kilogramë eksploziv për përdorim ushtarak, një çantë e lidhur me litar në një shtyllë betoni dhe një fitil me ndezje të ngadalshme. Kështu e përshkruan Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) shpërthimin që më 29 nëntor 2024 goditi kanalin Ibër-Lepenc në fshatin Varagë të Zubin Potokut. Seanca gjyqësore ndaj tre të akuzuarve për këtë rast vazhdon sot, në orën 09:30, në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë.
Në bankën e të akuzuarve janë vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq, si dhe Igor Dimoviq. Aktakuza ndaj tyre është ngritur më 9 dhjetor 2025. Të treve Prokuroria u ngarkon armëmbajtje pa leje, ndërsa dy vëllezërit përballen edhe me akuzat për rrezikim të rendit kushtetues përmes shkatërrimit ose dëmtimit të instalimeve dhe pajisjeve publike, kryerje të veprës terroriste dhe spiunazh.
Sipas aktakuzës, rreth orës 18:50 të asaj dite, vëllezërit Viqentijeviq, së bashku me disa persona të tjerë identiteti i të cilëve ende nuk dihet, pas një marrëveshjeje paraprake, vendosën eksplozivin e llojit trinitrotoluen në brendësi të kanalit. Qëllimi, pretendon Prokuroria, ishte frikësimi serioz i popullsisë dhe rrezikimi i rendit kushtetues dhe i sigurisë së Kosovës.
PSRK pretendon se çanta me lëndë plasëse ishte pozicionuar në atë mënyrë që të shkaktonte dëm serioz në infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë dhe energji elektrike. Pasi u ndez fitili zjarr-përcjellës, pasoi një shpërthim i fuqishëm që, sipas aktakuzës, dëmtoi rëndë strukturën e betonit të kanalit.
Pasojat u ndien përtej Varagës. Sipas Prokurorisë, qytetarët e disa komunave veriore dhe qendrore të Kosovës mbetën pa ujë të pijshëm, u pengua furnizimi me ujë për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), e cila e përdor kanalin për prodhimin e energjisë elektrike, dhe u rrezikua prodhimi i energjisë në nivel vendi. Ndërmarrjes Ibër-Lepenc, sipas akuzës, i janë shkaktuar dëme materiale në vlerë prej 376.774,70 eurosh.
Pjesë e aktakuzës janë edhe deklarimet që Jovan Viqentijeviq ka dhënë para Prokurorisë. Sipas tyre, ai ka thënë se nga 14 deri më 23 shtator 2023 ishte trajnuar në poligonin ushtarak "Pasulanske Livade" në Serbi, së bashku me rreth 120 persona të tjerë. Prokuroria shton se në të njëjtin poligon, gjatë shtatorit 2023, kishte zhvilluar trajnime edhe grupi që autoritetet e Kosovës e lidhin me sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023.
Në deklarimin e përfshirë në aktakuzë, Viqentijeviq, sipas Prokurorisë, ka pohuar se në Kosovë ishte planifikuar edhe një sulm tjetër në tetor 2024, i cili më pas ishte anuluar. Aktakuza përmend gjithashtu deklarimin se për realizimin e atij sulmi ishte pritur përfundimi i zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara.
Ndër provat e administruara nga Prokuroria është edhe një ekspertizë e Byrosë Federale të Hetimit të Shteteve të Bashkuara (FBI). Sipas aktakuzës, ekspertët kanë konstatuar se materiali i gjetur në çizmet e të akuzuarve kishte strukturë, ngjyrë dhe përbërje të njëjtë me mostrën e marrë në vendin e shpërthimit.
Kjo ekspertizë pritet të shqyrtohet në gjykim krahas provave të tjera të Prokurorisë dhe të mbrojtjes, si dhe dëshmive për rrethanat e shpërthimit. Roli i të akuzuarve mbetet i pretenduar: vetëm gjykata do të vendosë nëse akuzat qëndrojnë.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

